Problemet pronësore të shtëpisë së Kulturës ‘Abdulla Krashnica’  në Preshevë

Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë është duke u përballur me probleme pronësoro-juridike, pasi gjysma e objektit, ku është vendosur Shtëpia e Kulturës e këtij qyteti i takon Spitalit të Vranjës, gjysma tjetër kooperativës bujqësore.

Valon Nuhiu, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, “Abdullah Krashica” në Preshevë ka thënë në një prononcim për Kallxo.com, se ata po përballen me problemin e pronësisë së objektit, ndërsa ka shtuar se autoritete përkatëse po punojnë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Unë si drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë kam hasur në një problem të trashëguar me vite për këtë institucion, pasi nuk e ka pasur Projektin e Elaboratit kundër zjarrit. Gjithashtu, Shtëpia e Kulturës në Preshevë ka probleme me çështjen pronësoro-juridike. Gjysma e objektit i takon Spitalit të Vranjës, gjysma kooperativës bujqësore”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Nuhiu ka potencuar për Kallxo.com, se pas tejkalimit të problemit me çështjen e mbrojtjes nga zjarri të objektit të shtëpisë së kulturës, janë rikthyer aktivitetet në këtë institucion, dhe siç ka thënë ai: “Pas marrjes se pëlqimit nga Ministria e Punëve te Brendshme, për publikun e Preshevës  në kuadër të Shtëpisë së Kulturës janë organizuar  “Java kulturore”, premiera e shfaqjes “Misteri”,  koncerti i ShKA “Presheva” dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota “nga Prishtina”.

Ai ka thënë se në  kuadër të Shtëpisë së Kulturës funskionon Teatri i Preshevës, me 4 aktorë, Biblioteka e Qytetit dhe RTV ‘Presheva’.

Ndërsa Gani Veseli, aktor rezident i trupës së Teatrit të Preshevës ka potencuar për Kallxo.com, se pret që pas tejkalimit të problemeve që SHK ‘Abdullah Krashnica’ u përball në fillim të këtij viti dhe fundin e vitit që shkoi, gjërat të rikthehen për së mbari.

“Presheva është në një greminë dhe po futet edhe akoma më shumë, për shkak se situata politike është përhapur në gjitha fushat, pa zgjidhje dhe qytetarët të vetmen mundësi shikojnë ikjen nga shteti”, ka thënë Veseli.

Shtëpia e Kulturës  “Abdulla Krashnica” në Preshevë mbetet institucioni kyç në zhvillimet kulturore, jo vetëm të qytetit të Preshevës, por edhe në gjithë Luginën që mbanë emrin e këtij qyteti.

Pavarësisht sfidat dhe problemet ky institucione vazhdon t`ju sjellë shqiptarëve të asaj ane aktivitete dhe programe kulturore.

Në fund të vitit të kaluar, në kohën kur planifikohej të mbahej Festivali  Tradicional “Ditët e komedisë shqiptare”,  dhe festat e Nëntorit, Shtëpia e Kulturës ishte mbyllur nga Inspektorati kudër zjarrit, për shkak se SHK “Andullah Krashnica” nuk kishte planin kundër zjarrit. Për t`u rihapur pastaj, pak muaj më pas.