Politika e jashtme e Kosovës "ka nevojë për një përditësim të softuerit"

Raportimet se Republika e Afrikës Qendrore është vendi i fundit që tërhoqi njohjen e saj ndaj shtetësisë së Kosovës kaluan me heshtje nga Qeveria e Kosovës këtë javë, me ekspertë që e klasifikojnë këtë vendim nga kjo republikë si një tjetër pengesë katastrofike për politikën e jashtme të Kosovës kohëve të fundit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, njoftoi të premten e kaluar se Republika e Afrikës Qendrore ka tërhequr njohjen ndaj shtetësisë së Kosovës, duke e bërë atë “vendin e katërmbëdhjetë që ka sqaruar qëndrimin e saj për ç’njohje të shtetësisë”.

Daçiç shkoi një hap më tej, duke shpjeguar se fushata e Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës e ka një qëllim specifik: të arrijë ta zbresë numrin e njohjeve që Kosova e ka  aktualisht, nën 96, pra 50 përqind të vendeve anëtare të KB.

Shtatë ditë më pas, asnjë reagim nuk është bërë, as nga Qeveria e Kosovës e as nga Zyra e Presidentit në lidhje me këtë lajm.

Që nga koha kur qeveria e Haradinajt mori detyrën në shtator të vitit 2017, Kosova u njoh nga vetëm një vend, Barbados (siç pretendon Serbia, një njohje nga Madagaskari në nëntorin e vitit 2017 është tërhequr) duke pasuar me një pengesë të madhe në nëntor 2018, kur përpjekja e tretë e saj për t’iu bashkuar organizatës ndërkombëtare për bashkëpunimin policor, Interpol, dështoi.

Strategjia aktuale e politikës së jashtme e Kosovës i jep përparësi intensifikimit të subjektivitetit juridik të vendit, duke premtuar se do të arrijë njohje nga pesë vendet mosnjohëse anëtare të BE-së, forcimin e marrëdhënieve të tyre me SH.B.A dhe pranimin në organizatat ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve të politikës së jashtme, objektivat e Kosovës karakterizohen nga mungesa e kreativitetit, dhe se momentumi i hershëm i vendit është pasuar nga një rënie e konsiderueshme e mbështetjes për konsolidimin e Kosovës si anëtar i bashkësisë ndërkombëtare.

“Aktualisht ne e kemi një elitë politike në pushtet, softueri i së cilës është i programuar të bëjë një përballje kundërshtuese dhe një lojë të lehtë të çlirimit,” thotë Robert Muharremi, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Kosovës, AUK. “Ky është një lloj programi që ne kemi nevojë. Por tani, ne kemi nevojë për një lloj tjetër – një axhendë konstruktive, progresive të shtetndërtimit – dhe këta njerëz nuk e kanë një gjë të tillë. “

Sipas Muharremit, Serbia e ka kthyer me shumë sukses kursin e mbështetjes ndërkombëtare në favor të saj si një partner i arsyeshëm diplomatik, duker i shtuar ato boshllëqe të dukshme në strategjinë e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë së saj, si në marrëdhëniet diplomatike jashtë vendit ashtu edhe në mekanizmin e brendshëm të qeverisë, duke e shpërfaqur faktin se ajo mbështetje nga partnerët e saj ndërkombëtarë mund ta shpiejë Kosovën vetëm deri këtu.

Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës – FOTO: Fatrion Ibrahimi – KALLXO

 

 (Ç) njohjet

Republika e Afrikës Qendrore e njohu Kosovën në korrik të vitit 2011, por një foto e Daçiqit ku mbante një letër nga përfaqësuesit e Republikës së Afrikës Qendrore u publikua të premten e kaluar, kinse duke konfirmuar tërheqjen e kësaj njohje. Sidoqoftë, përmbajtja e saktë e letrës nuk u qartësua mirë nga Daçiq gjatë konferencës së tij për media.

Një mori raportesh nga qeveria serbe gjatë tri viteve të fundit thonë se vendet, kryesisht shtetet afrikane dhe kombe në Paqësorin e Jugut, po tërheqin njohjen e tyre ndaj shtetësisë së Kosovës.

Përderis një numër i këtyre shteteve e kanë konfirmuar qëllimin e tyre për të tërhequr njohjen, në rastet e Liberisë dhe Guinea-Bissaut, “komunikatat e tyre për ç’njohje” u anuluan vetëm disa ditë pasi u komunikuan.

Megjithë pretendimet e Qeverisë së Kosovës se, sipas së drejtës ndërkombëtare, tërheqja e njohjes është e pamundur, Muharremi deklaroi se akti i njohjes – dhe revokimi i tij – është thjesht politik, dhe është e drejtë e çdo vendi për ta bërë një veprim të tillë.

Sidoqoftë, këto tërheqje nuk e shfuqizojnë shtetësinë e Kosovës, tha ai. “Kemi të bëjmë me një shtet që shpreh dëshirën të ketë marrëdhënie diplomatike me një vend tjetër. Ata duan të japin porosinë e tyre se ata i njohin këto shtete si të barabarta, dhe, pak a shumë, kjo është ajo çfarë thuhet. A e bën një shtet, një shtet tjetër? Jo. “

Gezim Visoka, asistent profesor i studimeve për paqe dhe konflikte në Universitetin e qytetit të Dublinit, pajtohet kur thotë se “çnjohja e shteteve është shfaqur si një instrument i politikës së jashtme për avancimin e interesave të veta si brenda ashtu edhe jashtë për shtetet çnjohëse dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë,” tha ai, duke shtuar se shpesh është e vështirë të verifikohet vërtetësia e shkëmbimeve të tilla diplomatike. “Mbetet të shihet nëse komunikata e Republikës së Afrikës Qendrore është zyrtare dhe e vlefshme apo nëse është subjekt i ndonjë lloj manipulimi apo lëshimi të paautorizuar.”

Sipas Visokës, vendet që gjoja kanë tërhequr njohjen e Kosovës, përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, kurrë nuk e kanë arsyetuar vendimin e tyre duke u bazuar në mungesën e aftësive të Kosovës për shtetësi. Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova aktualisht njihet nga 114 shtete, megjithëse 116 prej tyre janë të listuara në versionin shqip të faqes në internet.

Visoka beson se qëllimi i Serbisë, pasi që është në ndjekje të çnjohjeve të shtetësisë së Kosovës, është të zvogëlojë numrin e shteteve që do të bashkëveprojnë me ose do të votonin për Kosovën në organizma shumëpalëshe. “Serbia po kërkon të forcojë fuqinë e saj negociuese në bisedimet me Kosovën në udhëheqjen e BE-së,” shtoi ai, “apo edhe të përfitojë një marrëveshje më të mirë për serbët e Kosovës që jetojnë në Kosovë apo ndoshta edhe të krijojë një situatë frytdhënëse për ta, me ç’rast Kosova përfundimisht do të pajtohej me një lloj rregullimi tërritorial në baza etnike”

Tërheqja e njohjeve, ngrirja e bisedimeve të drejtuara nga BE, ‘korrigjimi i kufijve’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe vendosja e taksës nga Kosova ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, i ka kthyer partnerët e Kosovës në disfavor të saj, tha Visoka, njëkohësisht “duke i dhënë Serbisë një mundësi të re që të shihet si palë konstruktive ndërsa Kosova si një palë penguese”.

“Politika e jashtme nënkupton diçka më shumë sesa antarësimi  në Interpol”

Përpjekjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 ishin monumentale: anëtarësimi edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN, edhe në Bankën Botërore, BB, sinjalizoi një trajektore pozitive drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo u forcua edhe më shumë nga mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, e cila konfirmoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Por me kalimin e viteve, njohjet filluan të bien, me vetëm katër shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara që e njohin përfundimisht Kosovën që nga viti 2014 (njohjet nga Suriname dhe Madagaskar, të dyja si anëtarë të Kombeve të Bashkuara, KB, dyshohet se janë tërhequr, ndërsa njohjet nga joanëtarët e KB-së, Ishujt Cook  dhe Niue gjithashtu janë përshëndetur nga Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës).

Megjithë ofertat e suksesshme që çuan në anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, KON, dhe në UEFA dhe FIFA, shteti i Kosovës mori një nga goditjet më të rënda kur oferta e saj për anëtarësim në UNESCO u refuzua në shtator të vitit 2015.

Sipas Muharremit, kjo është e lidhur me dështimin për të mirëmbajtur marrëdhëniet kokë me kokë me shtete që, shumë herët, kishin shprehur mbështetjen e tyre për sovranitetin e Kosovës.

Polonia, e cila ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën si shtet në vitin 2008, luajti një rol kryesor në dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO në vitin 2015. Polonia ishte një nga tre vendet që njohu Kosovën (krahas Japonisë dhe Koresë së Jugut) por që abstenoi nga pjesëmarrja në procesin e votimit, i cili dështoi me saktësisht tre vota dallim.

“Kemi humbur kaq shumë vota sepse nuk i kemi kushtuar kujdes të mjaftueshëm marëdhënieve dypalëshe me partnerët tanë – nëse jeni njohur si shtet nga Polonia, pse nuk jeni kujdesur bile të krijoni një ambasadë atje?”, tha Muharremi. “Politika dhe diplomacia ndërkombëtare kanë të bëjnë me respekt të ndërsjellë.”

Përpjekjet për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet jonjohëse në Evropë gjithashtu kanë munguar. Në shtator të vitit 2014, kur Presidenti Hashim Thaçi ishte Kryeministër, ai premtoi se Kosova do të hapte një Zyrë për Qështje Ekonomike në Athinë, por ky premtim nuk u përmbush asnjëherë.

Sipas Muharremit, çasti kur njohjet filluan të ngadalësohen ishin një sinjal se përgjegjësia për ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike dhe vendosjen e marrëdhënieve të reja, bie  vetëm mbi Qeverinë e Kosovës. Mbështetja vetëm në miqësinë me Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk është më një mundësi e shëndetshme.

Mungesa e iniciativave nga ana e Kosovës e ka rritur ndjeshëm pozicionin politik të Serbisë. “Serbia po tregon se sa vende ndërkombëtarisht kanë humbur besimin e tyre në Kosovë, se këto vende e kanë kuptuar se ishte gabim ta njohësh shtetësinë e Kosovës prandaj Kosova nuk është shtet,” tha Muharremi. “Nga këndvështrimi i Serbisë, ne po bëjmë saktësisht gjënë e duhur.”

Kosova nuk po bën asgjë për t’i kundërvënë këtyre përpjekjeve, shtoi ai. Duke iu referuar pretendimit të Ramush Haradinaj në fillim të mandatit të tij se politika e jashtme e Kosovës udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Muharremi nuk sheh ndryshim të një strategjie të çfarëdoshme. “Unë thjesht shoh një vazhdim të të njëjtave objektiva, ata godasin me kokën në të njëjtin mur përsëri dhe në të njëjtën kohë,” deklaroi profesori.

Sidoqoftë, Visoka tregon për sukseset e Kosovës në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me vendet që e kanë njohur tashmë Kosovën.

Javën e kaluar, Kosova vendosi me sukses marrëdhënie të tilla diplomatike me shtetin Antigua dhe Barbuda, duke vendosur një kornizë për marrëdhëniet bilaterale dhe një ambasador jo-rezident.

“Kosova ka më shumë marrëdhënie diplomatike – mbi 80 sosh të nënshkruara – sesa kanë një numër i mirë i shteteve anëtare të KB”, tha Visoka. “Sidoqoftë, këto vende janë në një pozitë shumë më të fortë se Kosova në çështjet shumëpalëshe.”

Përqendrimi për t’u antarësuar në organizatat shumëpalëshe politike ka qenë në thelb të asaj që, strategjia me të cilën udhëheqet politika e jashtme e Kosovës nuk është në rregull, beson Muharremi, dhe se kjo strategji e ka bërë të lehtë për Serbinë që të përqendrojë burimet e saja diplomatike në delegjetimimin e Kosovës në sytë e shteteve votuese.

Krahas Interpolit dhe UNESCO-s, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ishte zotuar përsëri në vitin 2017 se Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës deri në janar të vitit 2018. Megjithatë, asnjë ofertë për anëtarësim nuk u materializua ndonjëherë.

“Pse të përballesh me këto beteja të vështira kur ato mund të fitohen lehtë me shumë pak përpjekje? Ju mund ta përforconi shtetësinë tuaj ndërkombëtarisht me shumë më pak përpjekje,” tha Muharremi. “E provove një herë, e kuptove se nuk mund të fitosh, duhet të ndryshosh strategjinë tënde. Në vend të kësaj, ne jemi duke e goditur e njëjtë në vazhdimësi pa ndryshuar strategji dhe Serbia e di se kjo është gjithçka që ne po bëjmë. “

“Politika e jashtme nënkupton diçka më shumë sesa antarësimi në Interpol,” vazhdoi ai. “Nëse dëshironi të konsolidoni shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht, andaj duhet të angazhoheni ndërkombëtarisht, dhe këto organizata janë vetëm njëra anë e bashkësisë ndërkombëtare.”

Të ndërrosh rojet

Transformimi, edhe i lidershipit edhe organizatës së shërbimit të jashtëm të Kosovës, është qenësor për të avancuar tutje me marrëdhëniet ndërkombëtare, tha Muharremi.

“Duhet të keni një ministër që është i përqendruar në politikën e jashtme, dhe jo në të bërit biznes”, deklaroi profesori, duke iu referuar të kaluarës sipërmarrëse të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. “Ka nevojë për një kabinet me profesionistë që kanë ide, dhe më pas ju duhet ta inkorporoni atë ide në të gjithë shërbimin e huaj, dhe një gjë e tillë mungon.”

Shpresat për një gjeneratë të re të politikanëve të Kosovës që punojnë drejt ndryshimit nuk ka gjasa të materializohen, beson ai.

“Natyrisht, një vend do ta bënte këtë zhvendosje graduale të brezave, por këta njerëz po e mbajnë pushtetin aq fort duke mos lejuar që gjeneratat e reja të futen në politikë,” tha ai. “Madje, edhe ata që e bëjnë këtë përfundojnë duke qenë së klonuari. Procesi i filtrimit bëhet përmes vetë-rekrutimit nga vetë elitat ”.

Sipas Muharremit, ata të cilët me shumë mundësi janë për ndryshime pozitive në shërbimin e huaj të Kosovës janë zhgënjyer, janë bërë indiferentë apo, në rastin më të keq, janë larguar nga vendi.

“Duhet të tregoni se jeni përgjegjës, profesional dhe se respektoni partnerët tuaj dypalësh dhe se, në fakt, e përmirësoni këtë komunikim,” përfundoi ai. “Shërbimi i Jashtëm është çelësi i këtij suksesi, dhe kjo është arsyeja pse nuk funksionon.”