Nëpërkëmbja dhe neglizhenca ndaj doajenëve të kulturës në Kosovë

Ministria e Kulturës vazhdimisht krenohet se ka arritur t`i rrisë pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës, duke krijuar kështu një mirëqenie më të mirë për njerëzit e kulturës.

Megjithatë po del të mos jetë kështu, me qenëse pas 1 nëntorit 2018, kur edhe krijuesit dhe performuesit i morën pagat me rritje sipas premtimit, jo të gjithë mbeten të kënaqur me rritjen.

Shumë prej krijuesve dhe preformuesve të kulturës që janë pjesë e institucioneve publike kulturore kombëtare, disa publikisht dhe më shumë në heshtje, vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre me rritjen e premtuar.

Por, më të ‘nëpërkëmburit’ dhe zhgënjyerit mbesin krijuesit dhe doajenët e kulturës pas pensionimit, ku shumë prej tyre, mbesin me një pension shumë simbolike, që nuk ngjason as me një ndihmë sociale që marrin kolegët e tyre nga rajoni.
Deri më tani shteti i Kosovës ka dështuar të rregulloje edhe financiarisht çështjen e krijuesve me merita të veçanta, pas pensionimit.

Për fat të keq një situatë e tillë do t`i përcjellë njerëzit e kulturës edhe për një kohë të gjatë.

Të gjendur në një situatë aspak të mirë pas pensionit shumë prej doajenëve të kulturës, ‘detyrohen’ të angazhohen ë projekte të ndryshme, apo edhe t’i hyjnë politike, por edhe fushave tjera, pasi pensioni nuk u plotëson atyre nevojat më elementare.

Të mbështetur vetëm me fjalë

Aktorja dhe regjisorja Melihate Qena në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se trajtimi financiar që u bëhet krijuesve dhe përformuesve kosovarë, pas pensionit veçmas atyre me merita të veçanta është për keqardhje.

Ajo ka thënë se gjitha vendet e përparuara dhe që ua dinë vlerën qytetarëve të vetë, meritat dhe kontributin, i çmojnë jo vetëm me fjalë por edhe u sigurojnë pensione të dinjitetshme.

“Sepse me 230 euro pension, është e pa mundur për të jetuar, për gjithkënd e lerë më për ata që kanë sakrifikuar jetën në skena të ndryshëm arti”, ka thënë Qena.

Edhe shkrimtari Zeqir Fazliu, ka thënë për Kallxo.com se shteti i Kosovës duhet t`i nderojë doajenët e tij, sikurse bëjnë edhe kombet tjera të qytetëruara.

“Pensionet janë shumë të ulta, më i larti pension është 230 euro. Kjo është shumë pak, në krahasim me nevojat, prandaj njerëzit kërkojnë rrugë tjera për të mbijetuar”, ka thënë Fazliu.

Pse duhet bërë art në Kosovë?

Ndërkaq krijuesi Bujar Meholli, ka pohuar për Kallxo.com, se ndryshe nga vendet tjera, ku ata, artistët, kanë trajtimin e duhur, te ne, atyre u duhet të rropaten dhe të jetojnë ashtu siç munden!

“Për t’i marrë ca para të pa mjaftueshme për ta kaluar një muaj, apo për të parë ndonjë mundësi infiltrimi në politikë. E kam potencuar shpeshherë se, politika jonë i ngufat artistët dhe artin. Por, këtë situatë politike e ka krijuar kjo shoqëri, e cila në masë të madhe ka degraduar – dhe është mbushur me antivlerë”, ka pohuar meholi.

Ai ka thënë se këtu njerëzit që përpiqen për art të mirëfilltë, hasin në përbuzje dhe rrjedhimisht ngelin në varfëri të plotë, dhe sic ka thënë ai, vet fjala art – në vendin tonë do të thotë varfëri.

“Nuk është bërë kurrë ndonjë ligj (edhe nëse është bërë ka mbetur veçse në letër), për t’iu krijuar mirëqenie artistëve të vjetër dhe mbështetje të rinjve. Gjithkund shpenzohen paratë te ne, por jo në kulturë, jo në art”.

Më e keqja sipas tij se shumë prej artistëve tanë u duhet t’i nënshtrohen politikës me qëllim që të përfitojnë diçka, siç ka thënë ai, me raste edhe pa dëshirën e tyre, por që vështirësitë financiare i detyrojnë të infiltrohen medoemos në politikë.

Meholli ka thënë se nëse gjërat nuk ndryshojnë në këtë drejtim, pra, nëse vazhdon dominimi i njeriut kiç në shoqërinë tonë, nuk do të ketë kurrfarë motivi për të bërë art, nga brezat e rinj.

Kallxo.com nuk ka mundur të marrë një prononcim rreth nga Ministria e Kulturës, nëse ka në planë të propozojë ‘pension kombëtar’ për doajenët e kulturës, pasi mbushin moshën e pensionit.

Pavarësisht meritave dhe kontributeve me interes shtetëror, edhe përformuesit dhe krijuesit kosovarë, pas daljes në pension trajtohen njëjtë sikurse edhe qytetarët e tjerë, ku pensioni më i lartë nuk i kalon të 230 eurot, por edhe më poshtë.