Moskreativiteti i letërsisë së sotme shqipe favorizon shkrimtarët e huaj  

Studiuesit dhe krijuesit kosovarë deklarohen se letërsia shqipe vazhdon të mbes mbrapa letërsive të huaja dhe mjaft pak atraktive për lexuesin e sotëm. 

Shkrimtari dhe lexuesi i sotëm kosovar vazhdojnë të jetë larg njëri-tjetrit, pavarësisht, se sipas studiuesve tanë,  numri i botimeve letrare nga viti në vit shtohet. 

Sipas tyre, në ditën e librit, më 23 prill kur mesazhet për librit dhe shtytjen për lexim janë më të theksuara se zakonisht, problemet me librin dhe leximin duhet të merren si nevojë për përmirësimin e gjendjes.   

Ilir Muharremi, shkrimtar dhe kritik arti, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se letërsia shqipe vuan nga mbiprodhimi, ku më shumë shkruhet se sa se lexojnë dhe trajtimi i temave nga autorët tanë është monoton duke mos tërëhequr lexuesin. 

Muharremi shton se moskreativiteti i letërsisë së sotme shqipe favorizon atë të huaj, duke i bërë autorët e huaj më të kërkuar në raport me ata kosovarë. 

“Nuk është që shkrimtarët tonë shkruajnë keq letërsinë, por nuk po japin më shumë në letërsinë tonë. E veçanta e një letërsie të mirë është cilësore është stili. Për këtë mund të flasim shumë. Gjuha e përdorur, përshkrimi, trajtimi i temës, mbajtja e lexuesit”, ka thënë ai. 

Sipas tij, shkrimtarët tanë çdo ditë e më shumë po bëhen monotonë. Ndërsa, shton më tej ai, problem tjetër është se edhe kritika nuk po e thotë të vërtetën rreth zhvillimit të letërsisë.   

 “Publiku nuk është që nuk lexon, po e përmendi romanin tim të zhanrit horrorPsycho’, i cili tërhoqi vëmendje shumë nga kritika dhe lexuesi. Lexuesi kërkon zhanër të paeksploruar në Kosovë dhe një gjuhë të lirë të shprehjes. Autorët tonë ende jetojnë me të shkuarën e harrojnë të ardhmen”, ka thënë  Muharremi. 

 Kurse poeti gjilanas Zeqir Fazliu, thotë për Kallxo.com se ka një stagnim të letërsisë shqipe.  

 “Nuk po shoh ndonjë përparim të madh. Kohën e fundit sikur i ka zënë gjumi shkrimtarët e poetët. S’ kas manifestime letrare siç kishte më parë. Kjo po ndodh për shkak të epidemisë korona. Tash për tash çdo gjë në këtë aspekt është bllokuar. Të shpresojmë që kjo amulli të mos zgjatë shumë. Unë nuk e dua këtë lloj burgu“, ka thënë ai.