Hallovini- nata e frikshme që injorohet nga letërsia shqipe
Festa e Hallovinit dita ditës po gjen një ‘mbështetje’ të madhe në ambientin kosovar, sidomos në dekadën e fundit, kjo festë po vije duke u shndërruar ndër festat më të dashura për fëmijë, dhe nga një natë frike dhe tmerri tashmë është kthyer në një natë argëtimi.
Çdo 31 tetor gdhien me posterë, lajmërim dhe oferta të shumta për organizimet e ndryshme të kësaj feste, ndërsa në mbrëmje sheshet dhe lokalet e qyteteve, kryesisht ato të mëdha mbushen më fëmijë me fytyra të lyera, maska dhe rroba interesante, për t`u dukur sa më të ‘frikshëm’, në natën e Hallovinit.
Më gjithë popullaritetin e kësaj feste, dhe në televizione, letërsia shqipe vazhdon ta ‘injorojë’ tematikën e Hallovinit apo të zhanrit horror.
Me ndonjë përjashtim të rrallë, krijuesit tanë ende vazhdojë t’i mbajnë lartë penat e tyre nga trajtimi i temave të frikshme e veçmas ato që karakterizon festa e Hallovinit.
Pavarësisht se në letërsitë e ndryshme sidomos ato të mëdha, prova me tematikë të frikshme, qoftë edhe nga nata e frikshme është mjaft e zhvilluar.
Miti i letërsisë gotike
Shkrimtari Bujar Meholli, ka thënë për Kallxo.com, se krijuesit tanë nuk kanë treguar interes për ta trajtuar letërsinë gotike në veprat e tyre letrare, konkretisht diç të ngjashme me Hallovinin.
Kjo, mesa duket, sipas tij, për shkak të interesimit të vogël të lexuesve për këtë lloj letërsie, por gjithashtu edhe për shkak të vështirësive, për ta shkruar një vepër letrare të tillë, e cila, siç dihet, përcaktohet nga frika që i shkaktohet lexuesve dhe i bën ata të reagojnë.
“Dhe kjo është tradita gotike që lulëzon në shek. e 19. Poeti i famshëm gjerman Gottfried August Bürger, në shek. 18, shkroi poemën “Lenora” që ka ngjashmëri me “Kush e solli Doruntinën” — e cila mendoj se, i dha shtytje të madhe përhapjes së këtij zhanri”, ka potencuar shkrimtari Meholli.
Po sipas tij, derisa në shek. 19, gotikja, u afirmua me shkrimtarë si Edgar Allan Poe, apo Oscar Wilde me “Portretin e Dorian Greit” që e popullarizuan ndjeshëm – për t’iu paraprirë rrymave si dadaizmi, surrealizmi, etj, në letërsinë shqipe autorët tanë nuk i kushtuan rëndësi këtij zhanri.
“Unë nuk di ndonjë roman modern shqiptar që trajton këtë temë, si fjala vjen romani “The Shining” i Stephen King, që u bë më pas një film i famshëm. Tek ne, letërsia gotike nuk gjeti lëvrim, mbase për shkak të preokupimit të autorëve për tema tjera, dhe mosinteresimit të lexuesve shqiptarë për gotiken”, ka thënë Meholli.
Meholli ka thënë se përgjithësisht në korpusin e veprave tona letrare, mungon letërsia gotike, sepse, siç ka thënë ai, autorët tanë janë rrekur në zhanre tjera dhe kanë provuar pak ta shkruajnë një vepër letrare me prirje të tilla.
“Psycho”, roman për natën e Hallovinit
Mos lëvrimin e zhanrit horror, qoftë edhe me tematika nga Hallovini, e konfirmon edhe shkrimtari dhe kritiku Ilir Muharremi.
Ai ka thënë për Kallxo.com se në letërsinë tonë pothuajse ky zhanër nuk ekziston fare, edhe pse Muharremi ka botuar kohë më parë romanin triler “Psycho” me elemente horrori.
“Unë kam shkruar romanin triler me elementë të horrorit “Psycho”. Nuk ishte qëllimi që letërsisë sonë i mungon një zhanër i tillë, por arsye qëndron në atë se ndjehem mirë kur shkruaj skena horror në romanin tim P.sh. është një pjesë ku protagonisti vret në forma më torturuese viktimat. Pastaj përjeton elemente paranormale në banesën e tij”, ka pohuar Muharremi.
Ky roman sipas tij, lexuesin vazhdimisht e mban në një ndjenjë frike dhe qëllimi është që lexuesi të qëndrojë në kufij ndërmjet frikës dhe realitetit, frikë që sipas tij, duket shumë reale.
Hallovini (Halloween)
Festa e Hallovinit është mjaft popullore ne vendet perëndimore sidomos në SHBA. Festohet çdo 31 tetor, origjina e saj daton në festivalin e lashtë të keltëve të lashtë.
Në Kosovë kjo festë nisi të bëhej popullore në 10 vjetshin e fundit, kryesisht për fëmijë dhe të rinjtë, të cilët duke emituar, traditën e lashtë kelte, lyejnë fytyrat, maskohen dhe vishen me rroba të frikshme, gjuajnë me vezë të pikturuara etj.
Por që gjithçka zhvillohet në suaza të një feste mjaft argëtuese.