Liderët e Malit të Zi me qëndrime ‘pro and contra’ për Demarkacionin e 'Ballkanin e Hapur'

Dy krerët e shtetit të Malit të Zi, presidenti Milo Gjukanoviq dhe kryeministri Dritan Abazoviq kanë shprehur qëndrime të kundërta mes vete për dy tema të rëndësishme, që lidhen me Kosovën.

Marrëveshja për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe projekti “Ballkani i Hapur” janë dy temat që po i ndajnë shefin e shtetit dhe të parin e ekzekutivit malazez, që janë partnerë në qeverisje tash e disa javë.

Abazoviq, i cili erdhi në krye të qeverisë së Malit të Zi në fund të muajit prill, me votat edhe të partisë së presidentit Gjukanoviq, mendon që çështja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi tashmë ka marrë fund.

“Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, kishte thënë Abazoviq për Klan Kosova para disa ditësh.

Por, ndryshe nga kryeministri shqiptar i Malit të Zi mendon presidenti, Milo Gjukanoviq.

Të mërkurën, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, ai tha se një korrigjim i vijës kufitare mes dy shteteve mund të ndodh.

“Jam mëse i sigurt se do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacionin do t’i krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjimet për të cilat do të pajtohemi”, tha Gjukanoviq para gazetarëve në Kosovë.

“Kufiri të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë e të mos shërbej si burim i mosmarrëveshjeve e rrezikimi të marrëdhënieve tona”, thotë ai.

Për disa vite me radhë, opinion publik në Kosovë u përball pothuajse cdo ditë me debate e diskutime në lidhje me shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve.

Opozita e atëhershme, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kundërshtonin me aksione e protesta politike, brenda e jashtë institucioneve.

Por, përfundimisht, pas 3 viteve diskutime, marrëveshja e Demarkacionit u ratifikua në Kuvendin e Kosovës, pas një marrëveshje që e kishin nënshkruar presidentët e atëhershëm, Filip Vujanoviq dhe Hashim Thaci.

Në atë deklaratë të përbashkët, thuhej në mes tjeras se pas ratifikimit, do formohej një trup i përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare dhe do të korrigjonte gabimet e mundshme të komisioneve përkatëe.

Deklarata për Demarkacionin Thaçi-Vujanoviq (Foto)

Mes njerëzve kryesor që kundërshtonte marrëveshjen ishte, Albin Kurti, si kryetar partie i Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe si kryeministr i vendit, Kurti kishte thënë se pret të diskutoj me qeverisjen e re malazeze rishikimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, kishte thënë Kurti.

“Ballkani i Hapur”

Por, liderët e Malit të Zi nuk kanë kundërshtime vetëm për Demarkacionin. Fronti i qëndrimeve jo të njëjta zgjerohet edhe tek një cështje tjetër që tashmë disa vite diskutohet mes liderëve të 6 vendeve të rajonin, ajo e projektit të “Ballkani i Hapur”.

Më 14 maj të këtij viti, kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq, kishte vlerësuar se “Ballkani i Hapur” është në përputhshmëri me Procesin e Berlinit dhe se kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal, presidenti i Malit të Zi ka thënë se nuk e shohin veten si pjesë e iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.

Abazoviq në një intervistë për Deutsche Welle, kishte thënë se gjithçka që i ndihmon të hyjnë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për të është në rregull.

“Për mua kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë”, kishte thënë ai.

“Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është në rregull. ‘Ballkani i Hapur’ është në përputhmëni me Procesin e Berlinit. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo gjë”, kishte thënë Abazoviq.

““Ballkani i Hapur” është i bërë për 6 shtete, jo për 5 shtete e gjysmë apo 3 shtete e gjysmë. Mendimi im është ndoshta jam gabim se interesi më i madh në rajon është i Kosovës të jetë në çdo iniciativë rajonale”, vlerësonte Abazoviq.

Gjatë vizitës së tij në Kosovës, ditën e sotme, presidenti i Malit të Zi ka thënë se nuk e shohin vetën pjesë të iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.

“Ne nuk e shohim vetën si pjesë të kësaj iniciativë, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Ne mendojmë në këtë temë kemi një iniciativë shumë të mirë të procesit të Berlinit, ku të gjitha vendet e rajonit marrinë pjesë, është plotësisht komplementare me rrugën drejtë BE-së”, tha presidenti malazez.

Qëndrimet ‘pro and contra’ të zyrtarëve shtetëror të Malit të Zi i ka komentuar ish-ambasadori i Kosovës në këtë shtet, Ylber Hysa.

Ish-ambasadori Hysa ndan mendim të njëjtë me kryeministrit malazez sa i përket cështjes së demarkacionit, duke thënë se kjo temë tashmë është e mbyllur.

“Sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, në Mal të Zi ka konsensus që çështja e demarkacionit është e mbyllur dhe jo vetëm në Mal të Zi por në disa shtete që gravitojnë në NATO, ku është edhe Mali i Zi, kjo çështje për ta është e mbyllur. Me aq sa unë e di dhe më është thënë qindra herë”, tha ai.

“Në Podgoricë gjithmonë është thënë është se çështja e demarkacionit është e përmbyllur, mbetet çështje teknike markimi i kufirit në bazë të asaj marrëveshje”, tha Hysa për KALLXO.com

Ndërsa, sa i përket temës për “Ballkanin e Hapur”, Hysa thotë se shteti i Malit të Zi tani mund të jetë pjesë e këtij projekti, pas një debati të brendshëm.

“Çështja e Ballkanit të Hapur ka qenë një çështje e ezauruar në Mal të Zi dhe ka pas një qëndrim koncensual që Mali i Zi nuk e ka parë veten në atë iniciativë. Tani e ka parë vetën që ka mundësi që të jetë pjesë e një debati të brendshëm nëse Mali i Zi duhet të jetë në Open Ballkan”, tha Hysa.

Sipas ish-ambasadorit Hysa, Mali i Zi është rikthyer në politikën e saj tradicionale që është fqinjësia e mirë dhe qëndrimi i hapur euroatlantik.

“Mali i Zi edhe më herët e ka parë Kosovën si një vend miqësor nuk shoh ndryshim, po shoh kthim në një politikë që ka qenë e njohur karshi Kosovës”, shtoi ai.

Deri më tani, tri vende të Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Milo Gjukanoviq dhe Dritan Abazoviq ishin kundërshtar politik, megjithatë përafrimi ndodhi në fillimin e marsit të këtij viti kur mandatin për formimin e një Qeverie të pakicës ia dha presidenti Gjukanoviq.