Grafika: Trembelat për Kallxo.com
Izolimi i një Gjykimi për Liberalizim të Vizave
Arrestimi ish kryetarit të Apelit në korrik të vitit 2015 përveç se ishte lajmi i atyre ditëve, tronditi sistemin gjyqësor të vendit dhe bëri që besimi i qytetarëve të Kosovës në këtë sistem të zbehet edhe më shumë.
Sot 3 vjet pas, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarit e tjerë të këtij rasti u shpallën të pafajshëm por publiku nuk e pati mundësinë asnjëherë të dijë se çka akuzohej saktësisht Salih Mekaj dhe cilat ishin provat e Prokurorisë për këto pretendime.
Krejt, kjo pasi qysh në shqyrtimin fillestar të këtij rasti, mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës ndërsa për këtë ishte pajtuar edhe prokuroria ndërsa gjyqtari i rastit kishte aprovuar kërkesën për përjashtimin e publikut.
I gjithë procesi gjyqësor u zhvillua prapa dyerve të mbyllura dhe larg syrit të publikut ndërsa informimi i vetëm që mund të bëhej në lidhje me këtë rast ishte se po zhvillohej gjykimi dhe kjo do të mund të ilustrohej me një fotografi me dyert e sallës ku po mbahej gjykimi.
http://kallxo.com/mbyllen-seancat-ndaj-sali-mekajt/
Kjo situatë vazhdoi deri në fund të procesit gjyqësor ku Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli vendimin ndaj Mekajt dhe të tjerëve duke i liruar nga akuza pa dhënë asnjë fjalë të vetme si arsyetim.
Kësisoj, qytetarët e Kosovës u privuan nga mundësia për të parë se për çfarë po akuzohej ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, ku kishte gabuar ai sipas prokurorisë, çfarë prova kishte prokuroria, a kishte dëshmitarë dhe çfarë thanë ata.
http://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-salih-mekajn/
Publiku po ashtu u privua nga e drejta për të ditur se ku e bazoi gjykata vendimin për pafajësinë, publiku u privua të shohë se sa e pabazuar dhe e pa faktuar ishte aktakuza e këtij rasti siç tha avokati Besnik Berisha.
Pra, procesi gjyqësor nga zyrtarit me pozitën më të lartë në gjyqësor që është gjykuar ndonjëherë qysh nga fillimi u mbajt larg syve të publikut dhe në errësirë të plotë.
Mbyllja Totale
Ish udhëheqësi i instancës së dytë të drejtësisë në vend ishte arrestuar në muajin korrik të vitit 2015 teksa mbi të rëndonte dyshimin se kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Pas një hetimi më shumë se një vjeçar, Prokuroria Speciale e Kosovës përfundoi hetimet duke ngritur aktakuzë.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës bëhej e ditur se së bashku me Mekajn ishin akuzuar edhe tre persona të tjerë.
“Sipas aktakuzës i pandehuri S.M. në cilësinë e personit zyrtar, (në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës), ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë, duke i premtuar të pandehurës V.G. se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ri cilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Po në këtë njoftim më tej thuhej se Mekaj kishte kërkuar nga gjyqtarja e rastit në fjalë
” I pandehuri S.M. me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës. Me këto veprime i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej më tej në njoftim.
Ky njoftim ishte pika e vetme e publicitetit të këtij rasti, pasi që qysh në fillim të procesit të mbajtur më 20 tetor 2016, gjyqtari Shashivar Hoti aprovoi propozimin e mbrojtësit të Vlora Goranit, Besnik Berisha për mbylljen e këtij gjykimi.
Një ditë më pas KALLXO.com publikoi aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës sipas të cilit gjatë gjithë gjykimit do të përjashtohej publiku me arsye “mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedure”.
Përderisa në lidhje me publikun gjyqtari i referohet pikës 1.4 të nenit 294 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, gjyqtari Shashivar Hoti askund nuk përmend bazën ligjore mbi të cilën ndaloi publikimin e aktakuzës apo pjesë të saj.
http://kallxo.com/agk-gjykates-reagon-gjykates-per-rastin-e-salih-mekajt/
Pra, gjyqtari Hoti, përpos që ndaloi pjesëmarrjen e publikut, ndaloi edhe publikimin e aktakuzës apo pjesëve të saj duke e mbyllur në tërësi kështu qasjen e publikut dhe medias në proces,
Për më tepër, në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës as nuk përmendet fare nëse ndonjëherë është konsideruar mbyllja e përsëritshme apo e kontrolluar e seancës duke lejuar publikun që të jetë dëshmitarë i rregullsisë së procesit gjyqësor.
http://kallxo.com/salih-mekaj-vazhdon-te-gjykohet-ne-seance-te-mbyllur/
Kjo mbyllje vazhdoi deri në shpalljen e aktgjykimit dhe sikur u kurorëzua ditën e djeshme kur trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hoti, përveç se njoftoi se i liron nga akuza të gjithë të akuzuarit, nuk dha asnjë arsyetim tjetër duke thënë se “ për arsyetimin do të njoftoheni pasi të pranoni aktgjykimin”.
Duke pas parasysh qasjen e publikut në këtë gjykim deri në këtë fazë, vështirë se ndonjëherë do të bëhet publike se ku e bazoi gjykata vendimin e saj.
Për ta bërë edhe më konfuz këtë gjykim dhe për të treguar se sa i painformuar ishte publike në lidhje me këtë rast, dëshmon edhe komunikata për media e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në lidhje me këtë rast KALLXO.com i ka shkruar pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës, prokurores së rastit Drita Hajdarit si dhe avokatëve mbrojtës Besnik Berisha dhe Ramë Gashi.
http://kallxo.com/ekskluzive-aktvendimi-qe-mbylli-seancen-e-salih-mekajt/
Avokati i Mekajt, Ramë Gashi, ka thënë se mbylljen e seancës e ka kërkuar mbrojtësi i të akuzuarës Vlora Gorani, Besnik Berisha ndërsa ka thënë se gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethanat për mbyllje.
“Derisa çështja e gjykimit të mbyllur është e rregulluar me ligj dhe gjykata vlerëson se qëndrojnë arsyet ligjore për tu mbajtur gjykimi pa prezencën e publikut, nuk mund të gjykohet se diçka në lidhje me gjykimin nuk ka qenë qen në rregull apo jo-ligjore”, tha Gashi.
Në anën tjetër, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari tha se ishte pajtuar me propozimin për mbyllje për arsye të etikës profesionale.
“Jam pajtuar me një propozim të tillë nga etika ime profesionale, duke vlerësuar se mënyra e kryerjes së veprës penale kërkon përjashtimin e publikut nga interesi i moralit, si dhe për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurve, gjë që në bazë të ligjit tonë si dhe nenit 6. të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, paraqet bazë për përjashtimin e publikut nga shqyrtimi gjyqësor”, tha Hajdari.
Megjithatë, Hajdari tha se nëse do të varej për të, do t’i konvenonte prania e publikut.
“Në rastin në fjalë unë nuk kam pasur asgjë për të fshehur, përkundrazi, mua si prokurore, do të më konvenonte prania e publikut e cila kishte për të mësuar rreth veprimeve të zyrtarëve të zbatimit të ligjit brenda gjyqësorit të Kosovës.
Në lidhje me krejt këtë rast dhe në veçanti për mungesën e dhënies së arsyetimit, duke u përgjigjur për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi tha se arsyeja se pse ka munguar arsyetimi, ka qenë mungesa e kohës.
“Ju njoftojmë se siç jeni në dijeni aktgjykimi burimor kundër të akuzuarit S.M etj., është shpallur publikisht me dt.28.05.2018, dhe po ashtu lidhur me këtë vendim nuk është dhënë ndonjë arsyetim i shkurtër lidhur me vendosjen në këtë çështje penale dhe atë për dy arsye, arsyeja e parë është se vërtetë trupat gjykuese të kolegjit janë të ngarkuara dhe të stërngarkuara me lëndë dhe në ditën e caktuar, i njëjti trup gjykues ka qenë i angazhuar edhe në çështje tjera penale tërë ditën”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Si rrjedhojë, sipas Gashit, përderisa është bërë shpallja e këtij aktgjykimi, të gjitha palët kanë qenë duke pritur të njëjtin trup gjykues në një sallë tjetër për të vazhduar shqyrtimi gjyqësor, dhe në mungesë të kohës trupi gjykues ka qenë i detyruar që vetëm ta bëj shpalljen publike e jo edhe të jap ndonjë arsyetim lidhur me vendosjen meritore të kësaj çështje penale.
Megjithatë, si duket mungesa e kohës nuk ka qenë arsyeja e vetme pasi që në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës përmendet edhe një çështje tjetër.
“Çështja e dytë gjithashtu ka ndikuar që të mos jepen arsye publike me rastin e shpalljes së aktgjykimit në këtë çështje penale , ka qenë edhe fakti se siç jeni në dijeni për shkak të natyrës së kësaj çështje penale, e tërë procedura penale, përkatësisht të gjitha seancat e shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë të mbyllura për publikun, andaj gjykata edhe e ka për detyrë që ta mbroj integritetin personal të palëve në procedurë dhe bazuar në këto rrethana edhe trupi gjykues ka qenë shumë më i rezervuar dhe më i përmbajtur në dhënien e arsyetimit publik me rastin e shpalljes së këtij aktgjykimi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga avokati i Goranit, Besnik Berisha deri në këto çaste.
Në lidhje me mbylljen e këtij procesi gjyqësor kishin reaguar fuqishëm shoqëria civile dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por shqetësimet e tyre nuk ishin marrë fare parasysh.