Liqeni i Ujmanit. Foto: Kallxo.com

“Futja e Serbisë në territorin e Kosovës përmes Liqenit të Ujmanit”

Hapja e temës së Liqenit të Ujmanit, në marrëveshjen e nënshkruar mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është parë jo e nevojshme dhe jo e logjikshme nga eksperti i ujërave Avdi Gjonbalaj.

Hapja e kësaj teme sipas Gjonbalajt, është futja e Serbisë në territorin e Kosovës.

Një nga pikat e kësaj marrëveshje të nënshkruar nga kryeministri Hoti është se të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Avdi Gjonbalaj – Ekspert i ujërave

Gjonbalaj në një intervistë për KALLXO.com, tha se Serbia nuk e ka asnjë të drejtë sa i përket Ujmanit.

“Sipas mendimit tim, hapja e temës së Ujmanit është futje e Serbisë në territorin e Kosovës. Projekti i Ujmanit është bërë me mjete të zonës së Kosovës dhe mirëmbahet prej themelimit të ndërmarrjes prej vitit 71, heqim 9 vjet që kemi qenë të përjashtuar. Dhe mbikëqyret nga Kosova”, tha Gjonbalaj.

Zona e liqenit sipas Gjonbalaj është zonë me interes të përgjithshëm dhe sipas tij nuk ka aktivitet dhe investim në Ballkan që është bërë dhe që nuk e ka zbatuar Kosova.

“Serbia nuk e ka asnjë të drejtë. Serbia i ka ujërat në dispozicion që formohen në Kosovë i ka edhe 26 metër kub në sekondë që formohen në territor të Kosovës. Serbia është plotësisht e mbuluar me sasitë që mund të llogariten. Nuk është dashtë me thirr temën e Ujmanit. Por, kanë shku pa përgatit ekipi kosovar, nuk i kanë bërë përgatitjet qysh bëhen në krejt botën, jo me shku me duar në gjepa si Avdullah Hoti e ata të tjerët që nuk e dinë as ku është Ujmani, as çka është Ujmani”, tha ai.

Sipas tij Kosova studimin e fizibilitetit e ka bërë pas propozimit të Bankës Botërore pas vitit 71 dhe sipas tij nuk ka se për çfarë të bëhet ky studim më.

“Serbia e ka shfrytëzuar këtë që është pikë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe ata të goditin në plagë dhe Kosova e ka përpirë këtë dhe Kosovës kjo marrëveshje nuk i shërben për neve. Kosova studimin e fizibilitetit e ka bërë pas propozimit të bankës botërore pas vitit 71. Unë nuk e  kuptoj çfarë kanë me gjet aty”, shtoi Gjonbalaj.

Gjonbalaj ka shpjeguar se deri më tani në botë janë mbi 105 konflikte për ujërat dhe se Kosova llogaritet që është ndër vendet relativisht të varfra me ujë.

“Për mi plotësuar Kosova nevojat e veta për ujë i duhet me i pas edhe rreth 47 akulumime të tjera sepse Kosova është si kulmi, ujërat bien dhe ikin shumë shpejtë. Kosova nuk ka vend të përshtatshëm për akumulim”, tha ai.

Sipas Gjombalaj, Serbia mendon që të gjitha kartat që realizohen prej hidrosistemit me i nda me Kosovën.

“Kosova i humb dhe Serbia vendos për çdo gjë për ujërat”, tha ai.

Gjonbalaj ka treguar se Ujmani parametrat fizik i ka të definuar, resursin e ka të definuar dhe shfrytëzuesit i ka ata që i ka. Qëllimi i Serbisë sipas tij është që te resursi jetik të krijoj shantazhe ndaj Kosovës.

“Me këtë marrëveshje pritet me qenë në të njëjtën makinë dy timonier. Ata kanë me orientu makinën në drejtim të vetin ne në drejtim tonin. Ata kanë me lyp mi marr paret për të cilat nuk e ka shti asnjë cent. Asnjë logjikë tjetër nuk ka pos me ta shti dorën në xhep dhe Kosovën me bo të varur sepse është resurs jetik dhe ne mu var prej vullnetit të tyre”, shtoi Gjonbalaj.

Gjonbalaj tha se Kosova nuk e mohon kufirin e as nuk e kundërshton që Serbia me i përmbush nevojat e veta për ujin.

“Serbisë në pjesën e vet asnjë send nuk i takon fare. I takon vetëm mi zbatuar masat e zonës sanitare për ujin e pijes”, sqaroi Gjonbalaj.

Gjonbalaj ka reaguar edhe në facebook duke sqaruar se si rregullohet menaxhimi i objekteve ujore me Ligjin mbi ujërat të Serbisë.

Sipas tij në ligjin për menaxhimin e objekteve ujore neni 23 thuhet se nën menaxhimin e objekteve të ujit në pronësi publike, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet ndërtimi, rindërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja (e rregullt dhe investimi) e objekteve të ujit në tokën ujore, ushtrimi i të drejtave të investitorëve në emër të Republikës së Serbisë ose krahinës autonome, promovimi, ruajtja dhe kujdesi në lidhje me përdorimin e tyre të synuar.

“Kompania publike e administrimit të ujit administron objektet e ujit për rregullimin e rrjedhave ujore dhe mbrojtjen nga përmbytja në ujërat e rendit të parë dhe objektet e ujit për kullimin, të cilat janë në pronësi publike. Përveç pajisjeve të përmendura në paragrafin 2 të këtij neni, ndërmarrja publike e administrimit të ujit gjithashtu menaxhon digat me rezervuarë, objektet e ujit për mbrojtje nga erozioni dhe përrenjtë në pellgjet e rezervuarëve, gypat e ujërave në kanale dhe sistemet e ujitjes që janë në pronësi publike, përveç objekteve të ndërtuara nga personat juridikë, nevojat e tyre”, ka shkruar ai.

Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc” sipas Gjonbalaj e ka formuar Kuvendi i Kosovës.

Prandaj sipas tij, menaxhimin mund ta bëjë vetëm Ndërmarrja Ibër-Lepenc (ILE) dhe vetëm Kuvendi i Kosovës si i vetmi aksionar mund të vendos se kujt do të ia beson menaxhimin e ndërmarrjes me interes të përgjithshëm.