Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Analistët - Aderimet para zgjedhjeve 'prostitucion politik'

Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, kanë vërshuar aderimet e personaliteteve të fushave të ndryshme në partitë politike të Kosovës.

Profesorë universitarë, ekonomistë, analistë, e madje edhe artistë e pjesëtarë tjerë të shou-biznesit, kanë bërë publike bindjet e tyre politike, duke u anëtarësuar në subjekte politike.

Ndërkaq, disa të tjerë nuk kanë ngurruar të ndërrojnë deri në dy apo tri subjekte politike, pikërisht në kohën e fushatave elektorale.

Por për njohësit e çështjeve politike në vend, aderimet në kohë fushate janë të pasinqerta dhe me qëllime përfitimi, përderisa në aspektin sociologjik vlerësohet se suksesi i të aderuarve, varet nga hapësira e ofruar për veprim, kapaciteti dhe vullneti bashkëpunues.

Analisti politik Rrahman Paçarizi thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se aderimet në parti politike, qoftë edhe të intelektualëve apo botës së shou-bizit do të duhej të ishin normale, pasi që sipas tij, njerëzit kanë të drejtë të shfaqin bindjet e tyre politike dhe të angazhohen për to nëse me ligj nuk u ndalohet një gjë e tillë.

“Aderimet në kohë fushate janë të pasinqerta dhe përpjekje për t’u pozicionuar me qëllime përfitimi”, vlerëson ai.

Sipas Paçarizit, edhe më i pandershëm është kalimi nga një parti në tjetrën.

“Kjo nuk bëhet si revoltë ndaj devijimit të partisë nga programi inicial, por për shkak se partia nuk i ka përmbushur pritjet e atyre personave për pozicione drejtuese apo nuk u ka siguruar privilegjet e pritura”, thotë ai.

“Ky, për mua është njëfarë mercenarizmi a prostitucioni politik, ndonëse kalimi nga një parti në tjetrën kur ato kanë orientime të njëjta a të ngjashme programore nuk do të duhej të konsiderohej i tillë”, thekson analisti për Gazetën JnK.

Sociologu Artan Muhaxhiri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se procesi i aderimeve nuk mund të reduktohet në një kategori të vetme, sepse siç thotë ai, kemi të bëjmë me njerëz që u përkasin fushave, moshave dhe niveleve të ndryshme.

“Prej shumë të famshmëve deri te pak të njohurit, arsyet e përfshirjes së tyre ndryshojnë diametralisht. Disa vendosin të angazhohen me qëllim të ndërtimit të karrierës, të tjerët si rrugë të shkurtër për përfitime personale, ndërsa ka edhe të atillë që e konsiderojnë si kurorëzim të punës së tyre profesionale dhe mundësi për ndikim konkret në realitet”, theksoi ai.

Sipas Muhaxhirit, suksesi i të aderuarve varet nga hapësira e ofruar për veprim, kapaciteti dhe vullneti bashkëpunues.

“Është e pritshme që të ballafaqohen edhe me rezistencë të anëtarëve aktualë, të cilët mund t’i konsiderojnë si rrezikues të pushteteve të tyre, mirëpo këto çështje domosdoshmërisht duhet të parashikohen dhe adresohen paraprakisht”, shton sociologu.

‘Krekosja’ me aderime

Në rrjedhë të bashkëngjitjes së personaliteteve të ndryshme në subjekte politike, të vazhdueshme janë edhe njoftimet e zyrtarëve politik, të cilët publikojnë përvojat e të aderuarve dhe mburren me njerëzit që u janë bashkuar atyre.

Lidhur me këtë, sociologu Artan Muhaxhiri vlerëson, se partitë synojnë që kapitalin social të të aderuarve ta përkthejnë në rritje të besueshmërisë, përfitim të votave dhe përmirësim të imazhit.

Parimisht, sipas Muhaxhirit, janë dy lloj aderimesh: Të individëve që konsiderohen efektivë sa i përket mobilizimit dhe rritjes së votës, si dhe të tjerëve që shihen si përmirësues të imazhit publik.

“Mënyra e funksionimit të partive jep pak shpresë që personalitetet të cilat në këtë periudhë anëtarësohen në to përnjëmend të projektohen si bartëse të transformimeve substanciale në të ardhmen. Përvojat kanë dëshmuar që sukseset afatgjate të të aderuarve kanë qenë më të pakta sesa mossukseset”, shton sociologu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër, analisti Rrahman Paçarizi thekson se mburrja e partive me aderimet e profileve të larta është normale si promovim i atyre figurave te elektorati sidomos në rastet kur ata persona tërheqin votues.

Megjithatë, siç thotë ai, në Kosovë kjo më shumë është një “krekosje”, një “luftë gjelash” përpara garës për të treguar “muskuj” me të cilët do të krijonin epërsi psikologjike ndaj kundërshtarëve.

Kurse, Artan Muhaxhiri shton se duhet të ketë strategji sa i përket aderimeve nga ana e partive.

“Me rëndësi parësore është që të ekzistojë një strategji e shënjestrimit planifikues të aderimeve në bazë të kritereve ideologjike dhe përshtatshmërisë së profileve politike, por jo të kuantitetit jodiferencues”, thotë ai.

“Është kundërproduktive për partitë që të shndërrohen në ombrella universale të afrimit të njerëzve me ide e qëllime edhe kontradiktore mes tyre, pasi ky konfliktualitet konceptual më vonë ka gjasa të transmetohet përbrenda strukturave”, përfundon sociologu Muhaxhiri.

Fushata zgjedhore, do të zgjasë 10 ditë, duke filluar nga 25 shtatori.

Shpërndarja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës me 22 gusht, i hapi rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Krejt kjo erdhi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, me 19 korrik të këtij viti.

Haradinaj është dorëhequr nga drejtimi i qeverisë, pas ftesës që mori për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciales.