Agani i Jep Kushëririt Tender 500 mijë€

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ferid Agani, duket se ka qenë mjaft dorëlirë me Shpend Aganin, që është djali i axhës së kreut të këtij dikasteri. Agani ia ka dhënë Aganit tenderin për asgjësimin e ilaçeve me afat të skaduar. Vlera e tij është 500 mijë euro, shkruan sot gazeta Express.

Këtë tender, ministri i Shëndetësisë ia ka dhënë kompanisë “KMI sh.p.k” nga Drenasi, me pronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin.

Këtë mesele të vërtetë nuk e fshehin as zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Përkundrazi, ata krenohen se problemi më i madh pas luftës në sektorin farmaceutik për asgjësim ilaçesh të skaduara, më në fund po zgjidhet.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ku janë të regjistruara bizneset, ekziston edhe kompania “KMI”, e cila katër muaj më parë ka fituar këtë tender. Numri i të punësuarve në dokument figuron se janë vetëm dy veta, kurse kapitali i tërë kompanisë, 25 mijë euro.

Aty shkruan se “KMI” kryesisht merret me shitjen me shumicë të pjesëve të rënda, pajisjeve hidraulike dhe furnizim pajisjesh për ngrohje.