A është Lulzim Kabashi 'pro' apo 'kundër' taksës, shamisë në shkolla dhe martesës në mes gjinive të njëjta?

Lulzim Kabashi, kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Armërinë e Kosovës ka folur për kauzën që synon ta shtyj nëse bëhet deputet, për problemet e komunës nga vjen por edhe për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe idenë e shkëmbimit të territoreve me shtetin serb.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqje nga posti i deputetit nëse i ngritët aktakuza, Kabashi tha se nuk do ta bënte një gjë të tillë pa u dënuar nga një gjykatë.

Lulzim Kabashi, që mbanë numrin 53 në listën e AAK- PSD, thotë se njëra nga kauzat që dëshiron ta shtyjë nëse merr votën për deputetë është ajo e ruajtjes së sovranitetit.

“Kauzat veçse tashmë i kemi, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, forcimi i organeve të sigurisë, zhvillimi ekonomik. Këto janë kauzat që do të mundem t’i shtyj sa më tutje sa më shumë”, ka thënë ai në një intervistë për KALLXO.com.

Kandidati për deputet nga Prizreni tha se nëse partia e Ramush Haradinajt kërkon që emërohet në ndonjë post tjetër, mund të mos mbetet deputetë pas 6 tetorit.

“Unë besoj se do të jem deputet, por në rast se ka nevojë për post tjetër, nuk do të thotë që me qenë patjetër deputet”, deklaroi Kabashi.

Ai tha se janë disa taksa që duhet të ulën e disa të rritën në Kosovë.

“Mendoj se të gjitha taksat të cilat kanë të bëjnë me produktet e konsumit të përditshëm, apo shportës elementare, mendoj që duhet të ulën, kurse duhet të ritën taksat për mallrat e luksit”, tha ai.

I pyetur se cilat janë tri amandamentet e para që do t’i propozoi nëse zgjidhet deputetë, Kabashi nuk ka specifikuar ndonjë të tillë.

“Kjo varësisht prej ligjit i cili do të jetë në Parlament aty do të shohim edhe cilat janë nevojat për të bërë amandamentim të ligjeve. Besoj që një numër i konsiderueshëm i ligjeve në Kosovë kanë nevojë për amadamentim”, tha kandidati për deputet.

Ai ka folur edhe për problemet që ballafaqohen qytetarët nga komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes.

Sipas tij, problem mbetet ende papunësia.

“Komuna e Prizrenit problemin kryesor e ka pothuajse si gjithë territori i Kosovës, është mungesa e hapësirave të nevojshme për të bërë biznes, është mungesa e zonave industriale,  të cilat nuk janë funksionalizuar  që një kohë të gjatë, rrjedhimisht kjo nuk e zbutë numrin e papunësisë pa pasur një zhvillim të mirëfillt ekonomik. Papunësia është një problem që zgjidhet përmes zhvillimit ekonomik. Një problem tjetër është mosplanifikimi hapësinor ende i mjaftueshëm apo siç duhet të jetë një planifikim hapësinor për krejt territrin e Prizrenit, jo vetëm të qytetit por edhe të fshatrave, kjo mendoj që është një hapësirë. Mungesa e ujit në disa pjesë të qëytetit dhe disa fshatrave, është po ashtu një problem tjetër në kounën e Prizrenit i cili duhet të zgjidhet”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka qenë i sigurt që nuk e ndërron partinë në të cilën është, AAK, por ka thënë që ka gjasa të votoj kundër qëndrimit të grupit parlamentar të partisë së tij.

Kabashi tha se komuniteti i biznesit privat do të ndjejë më së shumti përkrahjen e tij nëse arrin të bëhet deputet.

Ai ka premtuar se do të angazhohet edhe për përmirësimin e ambientit në Kosovë.

“Pikërisht do të angazhohem që ligjit që sa i përket mjedisit dhe ambientit të amadamentohen dhe të bëhën më të zbatueshme në praktikë”, tha ai.

Disa prej temave që shpesh janë pjesë e diskutimit publik, Kabashi ka dhënë mendimin kundër dhe pro tyre.

Ai ka thënë se është për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr në Kosovë por është kundër djegies së qymyrit gjatë dimrit nëpër shtëpi.

Kabashi ka thënë se është kundër edhe përdorimit të qeseve të plastikës dhe pro privatizimit të Telekomit të Kosovës nëse i rritet vlera në treg.

Ndërtimi i autostradës së Dukagjinit ka qenë shpesh në diskutim publik nëse duhet të ndërtohet apo jo. Për këtë, anëtari i AAK-së nuk ka shumë dyshime.

Siç është qëndrimi i partisë është edhe i Lulzim Kabashit, kundër shkëmbimit të territorit dhe heqjes së tarifës kundër Serbisë.

Ndërtimi i hidrocentraleve në disa vende nëpër Kosovë shpesh ka hasur në pakënaqësi qytetare. Kandidati për deputetë nga AAK ka thënë se ndërtimi i hidrocentraleve nëpër lumenjtë e Kosovës duhet të bëhet në bazë të disa standardeve.

“Hidrocentralet janë një burim i madh i zhvillimit ekonomik sepse ka energji të ripërtritshme, por duhet të synohet që të bëhet përmes ndërtimit të pendave të cilat kishin me pasuru ambientin me ujë dhe jo me varëfru. Domethënë jam kundër hidrocentraleve të cilat janë me gypa, apo futja e ujërave nëpër gypa por duhet me u bë hidrocentralet me penda”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a është për apo kundër mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit, ai tha se është kundër mbylljes së tyre.

Kabashi ka thënë se është kundër monopolit në homologim e po ashtu edhe kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë. Por, ai tha se është për bartjen e shamive në shkolla.

Tutje, ai tha se është kundër vendosjes së kuotës për deputetë nga diaspora por është pro një ridizajnimi të skemës për veteranët e luftës. Kabashi është pro edhe heqës së kartonit të gjelbër për diasporë.

Ndonëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, kandidatët për deputetë kanë nis aktivitet online dhe nëpër takime drejtpërdrejtë.

Kabashi tha se e financon vetë fushatën.

Lulzim Kabashi ka thënë se e ka një vend pune në kompaninë private ndërsa ka folur edhe për të hyrat dhe pasurinë që posedon.

“2 mijë euro e kam pagën mujore prej kompanisë private, pasurinë e kam deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion”, ka thënë ai.

Ai nuk ka treguar saktë se a e ka pasurinë e regjistruar bashkërisht me gruan.

“E kemi pasurinë e përbashkët edhe me gruan, ne jemi të kurorëzuar dhe çdo pasuri që është ne emrin tim apo në emër të gruas, është e përbashkët”, thotë ai.

Ai ka thënë se herën e fundit kur është sëmur është shëruar në spital publik ndërsa ka premtuar se edhe kur të bëhet deputetë do të shkoj në institucionet publike për shërim.

Fëmijët e kandidatit të AAK-së për deputet, Lulzim Kabashi ka thënë se fëmijët e tij vijojnë mësimet në shkolla private ndërsa ka thënë se nuk e ka asnjë familjar të papunë, të gjitha janë të punësuar në biznesin privat.

Kabashi ka dhënë edhe një mendim mbi fatin e “Trepçës”.

“Duhet një kohë tranzicioni apo kalimtare që të jetë që të jetë nën pronësi të Qeverisë së Kosovës kurse me kalimin e kohës varësisht prej ofertave dhe biznes planeve edhe mund të privatizohet”, ka thënë ai.

Ai nuk ka përmendur ndonjë projekt të caktuar me të cilin do ta kushtëzonte kalimin e buxhetit me votë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, ka thënë se do të lë gjurmë gjatë mandatit si deputetë mbi problemet e komunitetit të biznesit privat.

I pyetur rreth aktivitetit që do të bëj gjatë kohës sa është pjesë e legjislaturës së ardhshme, Kabashi ka dhënë disa përgjigje për pyetjet parlamentare.

“Sa t’muj”, ka thënë kur është pyetur për numrin e pyetjeve që do t’i shtroj gjatë seancave. Ndërsa, ka thënë se se sa të është e nevojshme do të takohet me qytetarë.

Sa i përket importimit të makinave në Kosovë, Kabashi tha se më të vjetra se 5 vite nuk duhet të lejohen që të hyjnë në vend ndërsa tha se do t’i inicioj 3 dëgjime publike.

Kandidati i koalicionit AAK-PSD ka thënë se nuk do të jap dorëheqje nëse i ngritët aktakuzë.

“Jo. Sepse aktakuzat janë bërë rutinë, por nëse jam i dënuar po”, tha ai.

Njëjtë mendon edhe nëse kryeministri do të kishte aktakuzë.

Sa i përket numrit të ministrive në një ekzekutiv, ai ka thënë se mund të votoj edhe Qeverinë edhe që i ka mbi 15 ministri.

“Varët, varësisht prej arsyeshmëris, nëse ka arsye pse duhet t’i ketë mbi 15 mundem me votu. Përndryshe preferoj Qeveri me më pak ministri”, tha ai.

Sa i përket zëvendës ministrave që Qeveria e fundit kishte një numër enorm të tyre, Kabashi thotë se çdo ministri duhet t’i ketë nga dy zëvendës ministra.

Ai tha se nuk do t’i votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim ndërsa premtoi se do t’i bëj publike fondet e partisë.

I pyetur për qasje në dokumente dhe fatura të shpenzimeve, Kabashi tha se publike duhet të jenë ato.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale do të mbahen të dielën e 6 tetorit ndërsa partia e Ramush Haradinajt ka bashkuar forcat me PSD-në e Shpend Ahmetit për të garuar në një listë të përbashkët.