Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi – Foto: Facebook

Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në listën zgjedhore të koalicionit AAK-PSD, Lulzim Kabashi, është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Kabashi, i cili njëherësh është kryetar i Degës së AAK-së në Prizren, ka thënë për KALLXO.com se do të intervitohet në cilësinë e dëshmitarit.

“Jam ftuar dje në mesditë prej hetuesëve të Gjykatës Speciale në cilësinë e dëshmitarit për t’u paraqitur në Hagë, më 24 shtator në orën 09:30”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Kabashi e ka konfirmuar se do të paraqitet në Hagë më 24 shtator.

“Unë s’e kam mirëpritë këtë ftesë, por është një procedurë që duhet kryer. Patjetër që do të paraqitem (në Hagë). Gjithçka që është ligjore dhe obligative, patjetër që po”, është shprehur ai.

Kabashi ka theksuar se do të jetë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës, përderisa nuk i ndalohet një gjë e tillë.

“Jam kandidat për deputet në listën e AAK-PSD. Derisa nuk më ndalohet diçka, apo nuk ka diçka të kundërligjshme, unë jam kandidat”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, AAK dhe PSD do të garojnë me një listë të përbashkët për deputetë pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, pas ftesës për intervistimit në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, që e pranoi nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Zgjatet lista e të ftuarve të Gjykatës Speciale