FOTO: Aksidentohet vetura e eskortës së presidentit Thaçi

Një veturë e eskortës së presidentit Hashim Thaçi është përfshirë në një aksident.

Aksidenti ka ndodhur afër fshatit Komoran të Drenasit.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga vendi i ngjarjes.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se presidenti ka qenë në eskortën e veturave të tij.

Përfshirjen e eskortës së presidentit në aksident e ka konfirmuar edhe Zyra e Presidentit.

“Eskorta e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është përfshirë në një aksident zingjirorë të komunikacionit në Komoran të Drenasit. Në këtë aksident, përveç dëmeve materiale, askush nuk është lënduar. Presidenti Thaçi, pas zhbllokimit të komunikacionit, ka vazhduar me agjendën e tij ditore”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Kurse, Policia ka thënë se nga ky aksident ka pasur vetëm dëme materiale dhe jo pasoja në njerëz.

“Sot rreth orës 15:00 është raportuar për një aksident trafiku pa lëndime, por me dëme materiale, në rrugën Prishtinë –Pejë, afër Kroit të Mbretit në Komoran. Njësitet policore kanë dalë në vendin e aksidentit për të kryer procedurat e parapara për vend-shikim”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, sipas Radios Evropa e Lirë.

KALLXO.com raportoi për kolonën e krijuar për shkak të një aksidenti në Komoran.