‘Fazat e Hershme’ të Kosovës në Luftën Kundër Korrupsionit

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e vet për Kosovën në të cilin theksohet polarizimi në rritje ndërmjet qeverisë dhe opozitës, vazhdim të politizimit të administratës publike dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor.

Raporti i cili pas pak orësh do t’i dorëzohet drejtuesve të institucioneve të Kosovës, thekson në disa raste se vendi gjendet në “faza të hershme” të përgatitjeve për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ka pasur polarizim në rritje ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Anëtarët e opozitës kanë qenë të përfshirë në incidente të dhunshme kundër qeverisë, duke e kritikuar atë për vendimin e fundit për Gjykatën Speciale, dialogun me Beogradin dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, thuhet në raport.

Në 69 faqet e këtij raporti, fjala “korrupsion” është ndër më të përmendurat, me 66 herë.

“Kosova është në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit. Një qasje më gjithëpërfshirëse dhe strategjike është e domosdoshme për të siguruar rezultate reale në luftimin e korrupsionit endemik në Kosovë”, thuhet në raport.

Raporti kërkon që të krijohet një listë e hetimeve të suksesshme në raste të korrupsionit.

“Hetimet e rralla ndaj korrupsionit të nivelit të lartë deri më tani nuk kanë rezultuar me dënime finale”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu thotë se qeveria ka rritur fokusin në reformën e administratës publike e cila, sipas dokumentit, ka arritur një nivel të përgatitjes. Por kritikohet politizimi i administratës.

“Politizimi i vazhdueshëm i administratës publike, megjithatë, është një shqetësim i madh. Llogaridhënia duhet të përmirësohet në administratë përmes një mbikëqyrjeje më të duhur”, thotë raporti.

Në këtë dokument kritikohen edhe ndërhyrjet politike në gjyqësorin e vendit.

“Nevojiten përpjekje të mëtejme për të siguruar pavarësi në ligj dhe praktikë për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda gjyqësorit, për të trajnuar dhe kualifikuar stafin dhe për të alokuar resurse adekuate”, thuhet në raport.

Raporti thotë se Kosova ka qenë e angazhuar në dialogun politik me Serbinë duke arritur një numër të marrëveshjeve gjatë gushtit, përderisa qeveria e vendit ka nënvizuar përkushtimin e vet për t’i përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave.