Jeta në Kosovë flet për Kosovën tre vjet pas pavarësisë

Këtë të enjte, në terminin e ri prej orës 21:00, Jeta në Kosovë transmeton dokumentar për zhvillimet në vend tre vjet pas shpalljes së pavarësisë. Dokumentari “Kosova 3 vjet pas”, i prodhuar nga BIRN, do të sjellë vështrimet e qytetarëve, analistëve, përfaqësuesve nga mediat e shoqëria civile dhe ekspertë të fushave të ndryshme për zhvillimet në sfera të ndryshme gjatë këtyre tri viteve.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet Kosova tre vjet pas shpalljes së pavarësisë? Çfarë të arritura ka shënuar Kosova për këtë periudhë? Cilat janë problemet që duhet tejkaluar në të ardhmen? A ka shpresë për zhvillimin e ekonomisë së brishtë, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, ulje të papunësisë si dhe imazh të përmirësuar ndërkombëtar për Kosovën?

Pas dokumentarit, BIRN shfaqë reportazhin e gazetares Edona Musa e cila tregon se si qytetarët e Podujevës duhet të paguajnë ryshfet për t’u pajisur me targa te reja.

Gazetari Alban Selimi tregon për iritimin dhe frikën që iu ngjallet pacientëve nga veturat e transportit të kufomave në hyrje të spitalit.

Në fund, BIRN transmeton reportazh tjetër nga fusha e shëndetësisë për rastin e 13 personave që i lëshoi ashensori në QKUK.