Jeta në Kosovë diskuton për kamatat e larta të kredive

Këtë të enjte përfaqësues të bankave dhe institucioneve vendore në Kosovë diskutojnë për barrierat që e pamundësojnë uljen e kamatave për kredi.

A janë bankat në të vërtetë storje të suksesit në Kosovë? Çka kërkojnë udhëheqësit e bankave nga shteti si garancion para se t’i ulin kamatat e kredive? Pse kosovarët duhet të paguajnë kamata më të larta për kredi në krahasim me vendet e rajonit? A ka marrëveshje mes bankave në Kosovë për ta mbajtur këtë nivel të kamatës? Pse Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka nisur hetimin në lidhje me kamatat e bankave? A ka hapësirë për inkuadrimin e bankave të reja në treg, të cilat do të ofronin kamatat më të ulëta?

Për të diskutuar për këto dhe të tjerat në lidhje me kreditë bankare, mysafirë të Jeta Xharrës në studio do të jenë:

Florin Lila, nga banka ProKredit,

Robert Rajt, nga banka Raifaizen,

Vullnet Latifi, nga Banka Private për Biznes,

Bedri Hamza, Ministër i Financave,

Lavdim Hamiti, gazetar i ekonomisë në të përditshëm Zëri,

Ahmet Krasniqi, nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës.

Pas debatit, gazetari Muhamet Hajrullahu tregon se si jepen tenderët në Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit. Kush ka tentuar të jep tender në ARrT në vlerë prej mbi 800 mijë euro pa procedura ligjore? Çka thonë për këtë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, çka në ARrT, e çka thotë zyrtari i lartë i prokurimit i suspenduar nga ARrT për këtë tender?

Ndërsa, gazetari Alban Selimi tregon për masat që janë ndërmarrë ndaj doktorit Haqif Sadiku që nuk e respekton orarin e punës në QKMF, rasti i të cilit është trajtuar në emisionin e fundit Jeta në Kosovë. Gjithashtu, në këtë reportazh tregohen edhe arsyet se pse inspektorati shëndetësor nuk e kishte vërejtur më herët këtë parregullsi.