Drejtori i Arsimit që Dyshohet se Punësoi të Afërmit nuk e Pranon Fajësinë

Sot në Gjykatën Themelore të Gjakovës është mbajtur shqyrtimi fillestar kundër Behar Ramës, drejtorit të Arsimit në Rahovec që po akuzohet për shpërdorim detyre dhe konflikt interesi.

Prokurori Agron Matjani duke e lexuar aktakuzën tha se Behar Rama në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë  Komunale të Arsimit në Rahovec, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar u ka shkaktuar dëm profesorëve Vjosa Silka, Afrim Oruqi, Albana Isma, Eshref Haxhiu dhe Rasim Dula.

“…në atë mënyrë që ka shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës në Shkollën ‘Xhelal Hajda-Toni’ në Rahovec,” tha Matjani.

Sipas Matjanit në vend të profesorëve të dëmtuar Rama punësoi anëtarë të partisë së tij PDK dhe të afërm.

“Ka pranuar kandidatët-profesorët të cilët ishin edhe familjarë dhe të së njëjtës parti PDK të të pandehurit, ashtu që në vend të Afrim Oruqit pranohet në punë vajza e vëllait Edvina Rama, në vend të Vjosa Silkës- mbesa e tij-vajzën e motrës  Shqiperjana Oruqi edhe vajza e vellait të drejtorit Fidaije Rama,” vijoi Matjani leximin e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, me këto veprime Rama ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi.

I akuzuari tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe nuk ndihet fajtor për dy veprat penale me të cilat ngarkohet, ndërsa shtoi se të gjitha punët e tij i ka kryer në përputhje me procedurat dhe normat ligjore.

Kundër drejtorit kallëzim penal kishin ngritur profesorët e dëmtuar. Për keqpërdorime të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, KALLXO.com-i shkroi në tetorin e vitit të kaluar.

Në dhjetor 2014 prokurori Agron Matjani ia konfirmoi KALLXO.com-it aktakuzën e ngritur kundër drejtorit rahovecian të arsimit.

Gjykata me aktvendim shqyrtimin e dytë të këtij rasti e caktoi më 24 Shkurt 2015.