Cila është pasuria e shefit të parë të AKI-së?

Bashkim Smakaj, ish-shefi i parë i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), i cili që nga muaji shkurt i vitit 2017 mban pozitën e këshilltarit politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar 6 prona në një vlerë totale prej 334 mijë e 200 euro.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Smakaj ka deklaruar një veturë në vlerë 34 mijë e 500 euro. Kjo veturë sipas Smakajt është përfituar në vitin 2018, nga kursimet, shitja e veturës dhe me kredi.

Sa i përket parave të gatshme, Smakaj ka deklaruar se ai mban nëpër bankat e Kosovës para në vlerë 23 mijë e 880 euro. Ai ka thënë se këto para i takojnë atij, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Tek të hyrat vjetore, Smakaj ka deklaruar pagën si këshilltar i presidentit, e cila ka vlerën 1 mijë e 800 euro. Përveç pagës, Smakaj ka deklaruar edhe mëditjet të cilat i merr si këshilltar i presidentit. Këto mëditje për udhëtim kapin vlerën 1 mijë e 732 euro.

Po ashtu, ai ka deklaruar edhe pagën e bashkëshortes së tij, të cilën e merr nga Prokuroria e Apelit, në vlerë prej 580 euro.

Smakaj ishte emëruar si drejtor i AKI-së në vitin 2009, për të përfunduar një mandat në krye të institucionit m. Por, atë kohë presidentja Atifiete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi i patën vazhduar mandatin edhe për pesë vite. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, më 6 janar 2016, vetë Smakaj kishte ofruar dorëheqje.