Gjykimi për mashtrim të konsumatorëve - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca e gjykimit për mashtrim të konsumatorëve

Shqyrtimi fillestar i gjykimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim të konsumatorëve dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare ka dështuar të mbahet sot.

Kjo për shkak të negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga i akuzuari Avdullah Latifi.

Seanca u shty me kërkesën e prokurorit Feti Tunuzliu.

“Do të ishte mirë që kjo seancë të shtyhet derisa të arrihet marrëveshja për pranimin e fajësisë  me të akuzuarin Avdullah Latifi “, deklaroi prokurori.

Kërkesa e tillë mori aprovimin e trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Hamdi Ibrahimi, Vehbi Kashtanjeva dhe Naser Foniqi.

Sipas aktakuzës, kompania “Te Bashkimi” ka importuar produkte të ndaluara nga Kina, parfume “Paco Rabane 1 Milion“, të cilat më pas ishin destinuar për asgjësim.

Prokuroria pretendon se si pasojë e keqpërdorimit të detyrës nga Artan Ferati ato produkte nuk ishin asgjësuar në tërësi.

Në aktakuzë thuhet se Ferati pas shkatërrimit të dy paketave me parfume nuk është interesuar për shkarkimin e paketave të tjera për shkatërrim, duke e lënë të mbyllet furgoni dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Sikurse Ferati edhe Avdullah Latifi akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi që si punëtor në kompaninë “Te Bashkimi “, pas mbylljes së furgonit e merr drejtimin e tij për t’u ndaluar më pas nga hetuesit e Anti-Kontrabandës.

I pandehuri Xhevdet Rama akuzohet se e ka ndihmuar Artan Feratin në kryerjen e veprës penale duke e transportuar atë deri te vendi i asgjësimit dhe duke i urdhëruar më pas punëtoret fizikë që të nxjerrin vetëm dy paketa me parfume për asgjësim.

Ndërkaq Selatin Krasniqi sipas pretendimeve të Prokurorisë ka transportuar parfume false që është dashur të asgjësohen, për t’i ofruar për shitje konsumatorëve të interesuar me paraqitjen e rreme se parfumet e tilla kinse janë origjinale për të përfituar prej tyre në mënyrë të kundërligjshme.

Flamur Hotin dhe Besnik Beshin, Prokuroria i akuzon se si persona zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë përpiluar raportin e asgjësimi të mallit derisa kanë qenë në vendin e punës në Prizren e jo në vendin e ngjarjes në Prishtinë, dhe në të kanë shënuar të dhëna të pavërteta se kinse në prani të Besnik Beshit është bëre shkatërrimi I mallit me çka kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.