Dëshmitari: Mora Pjesë në Operacione ku u Vendosën Veshka

Islam Bytyqi- mjeku anesteziolog që po dëshmon sot në Rastin Medicus, tha në gjykatë se mori pjesë në disa ndërhyrje kirurgjike gjatë të cilave sipas tij iu vendosën veshka pacientëve.

Dëshmitari tregoi për këto operacione, pasi u pyet nga prokurorja Valeria Bolici, nëse ishte pjesë e ndërhyrjeve kirurgjike në Medicus gjatë të cilave ishin hequr veshka.

Ai u përgjigj se në operacionet ku asistoi nuk ishin hequr veshka, por ishin vendosur veshka te pacientët.

Dëshmitari tha se në Klinikën Medicus ka punuar në vitin 2006/2007 dhe 2008-ën në një ekip anesteziologësh bashkë me Sokol Hajdinin e Sylejman Dullën.

Anesteziologu Bytyqi deklaroi se njihte dr. Yusuf Somnezin, pasi ishte në ekipin e tij dhe doktorëve dr.Kenan Demirkollu, Driton Zhillta, të cilëve bëri të ditur se kohë pas kohe u bashkohej edhe Lutfi Dervishi.

Edhe dr Yusuf Somnez, akuzohej më herët në Rastin Medicus si drejtuesi kryesor i transplantimeve të veshkave, por ai është shtetas turk dhe nuk ishte i arritshëm.

Bytyqi më tutje tregoi se ishte pjesëmarrës në gjashtë operacione ku ishin vendosur veshkat, ndërsa personat që kishin pranuar veshkat, sipas dëshmitarit, ishin të huaj.

Ai tha se nuk e dinte prej cilit shtet ishin pacientët, pasi nuk kishte pasur mundësi të bisedonte me ta.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin se a kryhej në të njëjtën kohë operacioni ndaj dhuruesit dhe pranuesit të veshkës, ndërsa dëshmitari Bytyqi tha se nuk e dinte këtë gjë pasi ai kishte marrë pjesë vetëm në vendosje të veshkave të pranuesit e tyre.

Dëshmitari tregoi se ishte pjesë edhe e operacionit të fundit të kryer në Klinikën Medicus kur tha se një pacienti me inicialet B. Sh. i ishte vendosur veshka.

Ekipi i këtij operacioni përbëhej edhe nga dr Yusuf Somnez, dr. Kenan Demirkollu dhe dr. Sokol Hajdini.

Islam Bytyqi është duke e vazhduar dëshminë.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Seanca e radhës do të mbahet nesër ku si dëshmitar pritet të dëshmojë eksperti Milazim Tahirukaj.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.