Deputeti Labinot Tahiri

Deputeti Tahiri, politikanëve: Ejani tani pranë popullit, jo në fushatë

Banorë të tri fshatrave të komunës së Ferizajt janë mbledhur për të protestuar për rrugën e fshatit Tërrn e cila ende nuk është rregulluar.

Saranda Musliu, banore e këtij fshati ka thënë se kjo është hera e tretë që po dalin për të protestuar.

Ajo deklaroi se shpreson që kjo të jetë hera e fundit dhe të mos kenë më nevojë të dalin në protestë për ‘gjëra esenciale’.

“Nuk po kërkojmë diçka që nuk na takon. Në këto fshatra nuk po jetojnë përkrahësit e disa partive por banorët e Ferizajt. Janë bërë shtatë vite që po kërkojmë asfaltimin e kësaj rruge”, ka thënë Musliu.

Banorët e kësaj rrethine nën parullat “Kryeministër premtimi yt çështje ditësh, deri kur?”, “Aprovo premtimin”, “Kjo rrugë shtrohet për popullatë e jo për qeveri e kompani”, kanë qëndruar për një orë duke bllokuar qarkullimin e veturave në këtë rrugë.

 

Deputeti Labinot Tahiri ka thënë se është shumë e dhimbshme që ky fshat me tre mijë banorë vazhdon të jetë peng i politikës.

Ai tha se ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë premtuar rregullimin e kësaj rruge por nuk e kanë mbajtur premtimin.

“Katër kilometra nuk janë të asfaltuara fare vetëm dy kilometra. Nuk ka autobus që futet për me i marr nxënësit apo njerëzit për me udhëtu. Po i bëj thirrje kryeministrit që ta marr seriozisht shtrimin e kësaj rruge sepse ka premtuar ministri Lekaj dhe të gjitha qeveritë e kaluara. Këtu janë në pyetje votat prandaj s’po e shtrojnë.”, ka thënë Tahiri.

Deputeti Tahiri kishte edhe një porosi për politikanët.

“Çdo politikan që merr përgjegjësi që të jetë në shërbimin e popullit, duhet të jenë këtu e jo të vijnë vetëm dy muaj para fushatave e të bëhen engjëj duke premtuar.”, ka shtuar deputeti.

Skënder Shabani, gjithashtu banorë i kësaj rrethine tha se protestat do të vazhdojnë deri në rregullimin e këtyre rrugëve.

https://kallxo.com/deputeti-tahiri-therret-proteste-me-bllokim-te-rrugeve/

.