Dardan Molliqaj - Foto: Facebook/DardanMolliqaj

Dardan Molliqaj thumbon VV-në me deklaratat e Albin Kurtit për Listën Serbe

Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj “spekulimeve” për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Molliqaj e ka siguruar Lëvizjen Vetëvendosje që nëse i mbledh nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë nga Lista Serbe të cilët tha se dikur i ka quajtur “çetnikë”, si dhe nga subjektet e tjera, atëherë edhe PSD-ja do t’ia japë nënshkrimet e deputetëve të saj.

Molliqaj ka lexuar disa deklaratat të liderit të VV-së, Albin Kurti, duke e cituar të ketë thënë “U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po Republikës dhe historisë sonë”.

“E kam një pyetje publike: a e ka ndrru qëndrimin Lëvizja Vetëvendosje për këtë punë apo janë gati edhe me çetnikë me rrëzu qeverinë e Kosovës. Në emër të PSD i përgjigjem Lëvizjes Vetëvendosje që nëse këta janë gati dhe shkojnë i marrin nënshkrimet e Listës Serbe, PSD sot ua jep nënshkrimet me e rrëzu qeverinë”, tha Molliqaj.

Sipas tij, është mirë që VV të dalë publikisht e jo të fshihen pas “qëndrimeve hipokrite”.

“Të mblidhemi bashkë dhe të bëjmë një front opozitar e cila e ka përbrenda edhe kërkesën për zgjedhje dhe së bashku ta ndërtojmë strategjinë. Nëse nisma ua jep votën edhe AAK, PDK, tregona edhe neve dhe tregona qysh doni me rrëzu dhe i keni edhe nënshkrimet e PSD”, u shpreh Molliqaj.

Deri para pak muajsh, Dardan Molliqaj ka qenë pjesë e VV-së, por u largua nga kjo parti bashkë edhe me 11 deputetë të tjerë duke kaluar në Partinë Social Demokrate.