Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Telekomi i rriti provizionet për shërbimet që i kreu operatori privat

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Telekomi i Kosovës në vitin 2020 i rriti provizionet për të gjitha shërbimet që i kreu kompania “Pay-Kos”, duke i mundësuar këtij operatori, fitime qindra mijëra euro mbi kontratën bazë.

Sipas Auditorit, ndryshimi i kushteve të kontratës ka rritur koston e provizioneve të shitjes me vlerë 366,630.52 euro.

ZKA ka gjetur se ndryshimet nga kontrata bazë që kanë ndodhur pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për praktikat më të mira të llogaritjes së provizioneve, kompanisë i janë shtuar kostot e shitjes për provizionin për shitjet bazë nga 9.7% në 11.45 %.

“Kompania kishte lidhur kontratë për shitjen e produkteve të tyre me një OE me datë 16.03.2015 ku Operatori Ekonomik luan rolin e ndërmjetësit /distributorit të shitjes tek palët e treta, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë të përfshirë TVSH-në dhe provizioni total i shitjes do të jetë 9.7% e transaksionit. Pas një viti kompania kishte nënshkruar një aneks ku secilit lloj të provizionit që do të paguhet ndaj Operatorit Ekonomik i është shtuar edhe 18% në emër të TVSH-së”, thuhet në raportin për Telekomin.

Auditori ka treguar se kompania në vitin 2020 kishte paguar për provizion bazë 281,807 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë.

Gjithashtu për provizionet për shitjet mbi 0.5 milion kishte paguar 10,103 euro më shumë se ç’ishte paraparë në kontratën bazë.

Kurse, për provizionet për marketing ishin dhënë 32,814 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë.

“Për provizionet për shitjet mbi 1 milion për TM (kuartal) 21,852 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë; dhe për provizion (bonus) vjetor mbi 5 milionë në vit, 20,052 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë”, thuhet në raport.

Auditori ka konstatuat se kjo kishte ndodhur si shkak i interpretimit gabim të dispozitave të kontratës që kanë të bëjnë me mënyrën e llogaritjes së provizioneve dhe bonuseve nga ana e menaxhmentit të kompanisë dhe Operatorit Eekonomik.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë, që vendimet për të ndryshuar kushtet e kontratës, të jenë të bazuara në analiza paraprake të përshtatshmërisë ekonomike, për të evituar efektet financiare negative nga vendimet e pafavorshme për Kompaninë”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

KALLXO.com kishte raportuar në vitin 2019 se më 30 korrik, vetëm dy ditë para se të ekzekutohen pagat e muajit korrik, Telekomi i Kosovës e ka nënshkruar një aneks-kontratë me kompaninë ‘Paykos’ për shitjen e mbushjeve (kredive) të operatorit ‘Vala’. Telekomi kishte pranuar që t’i shes për 30 për qind më lirë ‘impulsat’ me qëllim që të pranoj pagesën në avancë në vlerë prej 1.5 milionë euro, të nesërmen me 31 gusht.

Bazë e kësaj aneks-kontrate është shitja e kredive të operatorit ‘Vala’ prej 1 milion euro për të cilën “Paykos” kishte një provizion prej 30 për qind, apo trefish më shumë se kontrata bazë e nënshkruar në vitin 2015, që parasheh një provizion prej 9.7%.

Përveç kësaj, Telekomi e kishte obliguar “Paykos” të blinte ‘impulsa’ në vlerë prej 500 mijë euro me provizionin e paraparë në kontratën bazë prej 9.7%.