Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi në prezantimin për Kosovën në Kanada, Foto: MDIS

Shkeljet e ministrisë së Diasporës në tender

Zyra Kombëtare e Audimit, në raportin për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për vitin 2019, ka evidentuar mungesë të sigurimit të ekzekutimit për kontratë lidhur me një tender.

Auditori ka theksuar se në kontratën ‘Shërbimet e transportit me autobus dhe minibus’ LOT 1 me vlerë 18,700 euro dhe LOT 2 me 13,500 euro kompania është shpërblyer me kontratë pa u bërë sigurimi i ekzekutimit nga ky i fundit.

Ky sigurim është pranuar nga Ministria, pas përfundimit të auditimit.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se Departamenti i prokurimit nuk kishte qenë i vëmendshëm në zbatimin e kësaj kërkese ligjore dhe kishte nënshkruar kontrata pa sigurinë e ekzekutimit”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mungesa e sigurimit të ekzekutimit rrezikon vetë realizimin e projekteve sipas kushteve të përcaktuara me kontratë, si dhe i pamundëson menaxhmentit të ministrisë ndëshkimin eventual ndaj operatorit në rast se kontrata nuk përmbushet.

ZKA sqaron se sipas Dosjes së tenderit, Seksioni II- Fleta e të Dhënave të Tenderit, pika 14.1, para nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik, duhet të bëhet sigurimi i ekzekutimit me një afat të caktuar kohor.

“Ministri duhet të aplikoj masa përgjegjësie për mos zbatimin e kërkesave ligjore dhe të siguroj se para nënshkrimit të kontratave me OE-të, zyra e prokurimit ka kompletuar dosjen e prokurimit me gjithë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë edhe sigurimin e ekzekutimit sipas kushteve të përcaktuara në Dosjen e Tenderit”, vijon raporti.

Në Qeverinë aktuale në detyrë, Ministria e Diasporës është përfshirë në atë të Punëve të Jashmte.