Komuna e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Auditori: Mitrovica lëshoi leje ndërtimi 8 muaj para pëlqimit nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar parregullësi në lëshimin e lejeve ndërtimore nga Komuna e Mitrovicës së Jugut në vitin 2019.

Në një rast Auditori ka gjetur se vendimi për lejen ndërtimore ishte lëshuar 8 muaj para se të merrej pëlqimi nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Gjithashtu, në 4 raste të tjera vendimi për leje ndërtimore tek pjesa për mbrojtje nga zjarri dhe mbrojtja nga zhurma ishte lëshuar në dy prej tyre pa u nënshkruar Lista Kontrolluese për shqyrtim të dokumenteve për ndërtim, dhe në dy rastet tjera lista në fjalë ishte nënshkruar respektivisht 26 ditë pas lëshimit të lejes ndërtimore.

Për këto, ZKA nuk ka marrë ndonjë përgjigje se pse kishin ndodhur çështjet e tilla.

Sipas Auditorit, lëshimi i lejes ndërtimore pa pëlqim nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, mos verifikimi i dokumenteve të nevojshme për ndërtim, si dhe nënshkrimi i listave kontrolluese pas dhënies së lejeve, rrezikon që ndërtimet të bëhen jo sipas standardeve të përcaktuara ndërtimore dhe kjo mund të vë në rrezik jetën e qytetarëve.

“Sipas Ligjit Nr. 04/L – 110 për Ndërtim, neni 4 ku specifikohet se Lëshimi i lejes ndërtimore dhe përcaktimi i kërkesave të saj do të zbatohen në pajtueshmëri me parimet si në vijim: pika 1.1. mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë, si dhe neni 21 Procedura për lëshimin e lejes ndërtimore pika 2. Nëse organi kompetent vlerëson se dokumentacioni ndërtimor nuk është përgatitur në përputhje me kushtet ndërtimore dhe me dispozitat e këtij ligji, nuk do të lëshojë lejen ndërtimore”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2019.

ZKA ka rekomanduar se kryetari i komunës duhet të sigurojë që asnjë leje ndërtimore nuk duhet lëshuar pa marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme për fillimin e ndërtimit dhe çdo leje ndërtimore të lëshohet vetëm pasi që është bërë verifikimi i të gjitha dokumenteve për ndërtim.

Komuna e Mitrovicës së Jugut udhëhiqet nga Agim Bahtiri (LVV).