Në praninë e Bytyqit e Haradinajt, përurohet një shkollë në Suharekë

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqyri Bytyqi, vitin e ri shkollor e ka uruar nga Suhareka së bashku me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Të dy kanë marrë pjesë në komunën e cila udhëhiqet nga bashkëpartiaku i Haradinajt, Bali Muharremaj, ku inauguruan një shkollë fillore në fshatin Tërnj të Suharekës.

Bytyqi tha se sot është një festë e madhe e për të gjithë qytetarët e Kosovës, derisa shtoi se kjo shkollë do të pajiset me mjete të reja.

“Nga zemra uroj gjithë qytetarëve të Suharekës dhe banorëve të fshatit për hapjen e kësaj shkolle. Andaj  neve si ministri na mbetet  që këtë shkollë ta pajisim me mjete shkollore që ti’a bëjmë punën më të lehtë nxënësve dhe mësimdhënësve”, tha ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj  tha se nxënësit nuk duhet t’i dëgjonë zërat se nëse kryen shkollë nuk mund të gjesh një vend pune.

“Nuk është e vërtetë që shkolla nuk vynë, badihalla shkojmë në shkollë, mëso sa duash se nuk gjen punë, e kryen fakultetin bëhesh kamarier ose me magjistraturë, nuk është e vërtetë besoni.  Kohërat ndërrojnë shpejtë, e ata që kanë kry shkollë mirë e ata që kanë nxënë dije kanë me qenë gjithë të zotë. Çdo kohë dija të vynë në çdo etapë të jetës”, tha Haradinaj.

Ai gjithashtu ju tha nxënësve që të sfidojnë dituritë e tyre me bashkëmoshatarët, por ju tha edhe që ta mësojnë matematikën.

Kurse, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, uroi fillimin e vitit të ri shkollor duke përdorur edhe sloganin e partisë së tij 100% në fjalën e tij.

“Më vjen mirë që sot kjo shkollë po bashkon gjitha partitë politike. Do të jem sot shumë i shkurtër, dua të them se kur pata thënë që me 1 shtator lëshohet shkolla, shumë prej jush keni mëndu që janë vetëm fjalë erdhi dita dhe u bënë realitet. Ky është buxhet i Komunës, falënderoj gjithë që janë prezent sepse kjo shkollë po bëhet realitet dhe premtimet po realizohen 100%”, tha Muharremaj.

Ndërsa drejtori i kësaj shkolle, Jeton Branovci e mirëpriti ndërtimin e kësaj shkolle.