MASHTI nxjerr Udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve nga distanca

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka nxjerrë vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë”, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Ministra e Arsimit, Hykmete Bajrami në një njoftim në Facebook ka thënë se me ndihmën e shumë ekspertëve është përpiluar një “Udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” në Kosovë gjatë periudhës së rrethanave emergjente të krijuara nga pandemia COVID 19 për vitin shkollor 2019/2020.

“Në udhëzues kemi ofruar detaje për metodat, mënyrën e format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit. Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë”, ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Ajo shtoi se në muajin maj, do të nxjerrin edhe një vendim për mbajtjen e Testit të arritshmërisë (klasa 9) dhe Provimit të Maturës (klasa 12), në konsultim me autoritetet dhe institucionet përkatëse. Me këtë vendim gjithashtu do të harmonizohen datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në Universitete apo Kolegje.

LINK gjendet udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve, gjatë mësimit në distancë.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka nisur më 23 mars.

Ministrja Bajrami falënderon ekipin e KALLXO.com që ndihmoi në realizimin e-mësimit