Ministrja Bajrami falënderon ekipin e KALLXO.com që ndihmoi në realizimin e-mësimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka falënderuar të gjithë përkrahësit e mësimit në distancë, duke thënë se është arritur synimi.

“Kur u aprovua vendimi për mbylljen e shkollave ishim para sfidave të mëdha. Të vazhdojmë ta luftojmë COVID-19 apo të bëjmë luftën e dyfishtë ndaj pandemisë. Krahas qëndrimit në shtëpi vendosëm të organizojmë mësimit në distancë. Dhe, sot, mund të konstatojmë se ia kemi arritur synimit tonë. Fëmijët tanë gjatë kësaj kohe dhe në vazhdim e kanë të obliguar që krahas edukimit në familje të mësojnë e argëtohen duke u bërë pjesë e ligjëratave të transmetuara në televizionin publik dhe të publikuara edhe në youtube”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Ajo njoftoi se janë xhiruar mbi 1800 video-ligjërata dhe kanë punuar qindra vullnetarë.

“Gjithë kjo punë dhe gjithë këta vullnetarë kanë rrezikuar shëndetin duke u bashkuar në projektin për t’ua dërguar secilës familje shkollën në shtëpi, në kohën kur edhe Kosovës po ballafaqohet me COVID-19”, ka thënë ajo.

Ajo paralajmëroi se puna do të vazhdojë edhe më tutje deri në publikimin e secilit material që do t’iu hyjë në punë mësimdhënësve dhe nxënësve.

Gjithashtu ka falënderuar të gjithë në mënyrë vullnetare kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Prandaj, shfrytëzoj rastin të FALËNDEROJ gjithë ato gra e ata burra, të rinj e të reja që kanë mundësuar që ky projekt të realizohet, në kushte pandemie, edhe më mundësi të ndonjë lëshimi që do të evitohet me aq sa ka mundësi”, ka thënë Bajrami.

“Projekti ende s’ka përfunduar dhe ka shumë punë të cilat po kryhet nga mësimdhënësit dhe vullnetarët përfshirë edhe punëtorët e MAShTI-t, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, RTK, Kallxo, Toka etj”, ka shkruar më tej ministrja.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka nisur më 23 mars.