Gjykata Themelore e Prizrenit

Arrihet marrëveshje për kompensimin e të miturës 12 vjeçare që u lëndua në aksident

Kompania e sigurimeve KS ”Illyria” dhe përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Blerim Mazreku, arritën marrëveshje që pala e dëmtuar, në këtë rast paditësja, të kompensohet në shumën prej 3.500 euro, si dhe e paditura KS ”Illyria” do t`i paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore.

Në shkurt të vitit 2018, kishte ardhur deri te aksidenti dhe pala paditëse, e dëmtuara gjatë kohës kur lëvizte në këmbë, shoferi i minibusit që ishte i siguruar te kompania e sigurimeve ”Illyria”, i njëjti gjatë lëvizjes, kthimit në anën e djathtë në mënyrë të pakujdesshme, e godet këmbësoren pranë rrugës, por pa e vërejtur vazhdon lëvizjen duke mos u ndalur për t`i ofruar ndihmë. Në këtë mënyrë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të konstatuara më vonë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Gjykatësja e rastit Edije Sezairi e aprovoi marrëveshjen e palëve dhe ujdinë gjyqësore, dhe u detyrua pala e paditur KS ”Illyria”, që brenda 15 ditësh t’ia paguajë detyrimet e lartcekura në llogari të përfaqësuesit avokat Blerim Mazreku, i cili deklaroi që ujdia gjyqësore është e pranueshme nga pala paditëse meqenëse kemi të bëjmë me person të moshës së re dhe se shëndeti i së njëjtës është përmirësuar dukshëm.