Foto: KALLXO.com

Mbrojtja e Nagip Krasniqit e quan të mangët vendimin e Supremes

Gjykata Supreme ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtjes për shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, nga gjykata e shkallës së parë e po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë janë të pabazuara lidhur me caktimin e paraburgimit.

Trupi gjykues i Supremes i përbërë nga Rasim Rasimi kryetar, e Valdete Daka me Agim Maliqin anëtarë, kanë hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes për kundërligjshmëri me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Nagip Krasniqi.

Kjo gjykatë përmes këtij aktvendimi shprehet se të dy gjykatat, ajo themelore dhe Apelit kishin vlerësuar drejt dhe kishin arsyetuar siç duhet vendimet e tyre për caktim të paraburgimit.

Mbrojtja e Nagip Krasniqit këtë aktvendim e ka konsideruar me arsyetim të mangët dhe të zbehtë.

“Vendimi i Gjykatës Supreme, sa i përket çështjes së paraburgimit të z. Krasniqi, ka arsyetim të mangët – të zbehtë sikur të ishte vendim i gjykatës për kundërvajtje” – thuhet në reagimin e avokatit të Nagip Krasniqit, Tomë Gashit përmes llogarisë së tij në Facebook.

Në këtë reagim ai thotë se Gjykata Supreme nuk i ka marrë parasysh pretendimet e mbrojtjes.

Mbrojtja kishte kërkuar nga Supremja  “… t’i anulojë aktvendimet e atakuara dhe çështjen t’ia kthejë gjykatës së shkallës së parë në rivendosje, apo aktvendimet e atakuara t’i ndryshoj, ashtu që të pandehurit t’i ndryshojë masën e paraburgimit duke ia zëvendësuar me ndonjë masë tjetër më të lehtë nga neni 171 të KPP-së” – thuhet në aktvendimin e nxjerrë nga kjo gjykatë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Nagip Krasniqit mund ti lexoni duke klikuar në LINK .