Apeli e Kthen Paraburgimin e Shefqet Krasniqit Në Rivendosje

Kolegji i Apelit vendosi që ta pranojë ankesën e mbrojtësit të Shefqet Krasniqit kundër paraburgimit tridhjetëditësh që imamit të Xhamisë së Madhe iu shqiptua më 19 shtator.

Sevdali Zejnullahu, avokat mbrojtës i Shefqet Krasniqit konfirmoi se ankesa është aprovuar, por shprehu habi se është njoftuar për këtë vendim të kolegjit të Apelit një ditë pasi kjo gjykatë ka marrë vendimin.

“Ligji e parasheh që organet shtetërore duhet të veprojnë me nguti të posaçme, kur kemi të bëjmë me kufizimin e lirisë, siç është paraburgimi”, tha Sevdali Zejnullahu.

Ai shtoi se Apeli vendimin e ka marrë të enjten, por e ka njoftuar atë vetëm të premten në fund të orarit zyrtar të punës.

Njoftimin për pranimin e ankesës së mbrojtjes së Krasniqit dhe anulimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për paraburgim të imamit e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit me anë të një komunikate.

“Gjykata e Apelit ka vendosur që ky aktvendim të anulohet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës Themelore në fjalë për rivendosje. I pandehuri po ashtu do të  mbetet në paraburgim deri në marrjen e vendimit të ri”, njofton Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.

Apeli vlerëson se Gjykata Themelore nuk ka arritur të tregojë arsyet se ka dyshim të bazuar që i dyshuari ka kryer veprat penale.