Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurti: Papunësia e korrupsioni, dy brengat kryesore të qytetarëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, janë papunësia e korrupsioni.

Kurti përmes një publikimi në Facebook është shprehur se prokuroria nuk është në dijeni për “hajnat e mëdhenjë” të shtetit.

“Jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas çdo ankete janë papunësia e korrupsioni. Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata”, ka shkruar ndër të tjerash kreu i LVV-së.

Në anën tjetër , përcjellësit e Kurtit në Facebook i janë kundërpërgjigjur me lavdata e kritika.

Disa prej tyre kanë kërkuar nga Kurti që të mos tregojë për problemet të cilat dihen por të ofrojë zgjidhje për to.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Albin Kurtit në Facebook:

“Sipas Raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet “Fakte 2018”, 73% e të moshuarve varen nga mbështetja familjare për të mbuluar nevojat e tyre elementare, kurse 91% e të moshuarve të anketuar kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale. Vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, krahasuar me 46,6% të burrave. Pensionin bazë (shtylla e parë) e marrin gati dyfish më shumë gra sesa burra (81 mijë kundrejt 41 mijë), ndërkaq pensionin kontributdhënës (shtylla e dytë) e marrin mbi gjashtë herë më shumë burra sesa gra (sipër 37 mijë kundrejt 6 mijë). Pra, gati trefish më shumë qytetarë e marrin pensionin bazë krahasuar me atë kontributdhënës. Ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë. Gratë edhe nën tokë.

Jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas çdo ankete janë papunësia e korrupsioni. Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata”

Albin Kurti i cili udhëheq me partinë ndër më të mëdha opozitare Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e qeverisjes qëndrore.

Megjithatë LVV kishte arritur të fitonte udhëheqjen e tre komunave në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Prizrenin, Prishtinën dhe Kamenicën, ndërsa tani i ka mbetur vetëm Prizreni pasi dy kryetarët e tjerë kaluan në partinë e re të formuar pas ndarjes së LVV-së, Partia Socialdemokrate.