Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

7 vjet e gjysmë burg për sulm ndaj ish-bashkëshortes

7 vjet e 6 burg është dënimi që Gjykata e Prishtinës i ka dhënë burrit të akuzuar për sulm ndaj ish-bashkëshortes.

Përpos sulmit ndaj ish-bashkëshortes, i akuzuari H.S. akuzohet se edhe në një rast tjetër e ka sulmuar një punëtor të një picerie.

Sipas Prokurorisë i akuzuari H.S. në vitin 2015 pas një fjalosje të shkurtër me ish-bashkëshorten e tij, të njëjtën e ka goditur në fytyrë dhe në shpinë.

Po ashtu, në bazë të aktakuzës i akuzuari H.S. edhe në vitin 2019 derisa ishte konsumator në një piceri, e ka ofenduar punëtorin e këtij lokali dhe pastaj të njëjtin e ka goditur disa herë në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në aktakuzë përshkruhet se i akuzuari prej datës së panjohur e deri në mars të 2019-ës ka mbajtur edhe një revole, një karikator dhe katër fishekë, të cilat i ka poseduar pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.

Pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, Gjykata e Prishtinës gjeti se i akuzuari H.S. është fajtor për kryerjen e veprave penale të sulmit, armëmbajtjes pa leje si dhe lëndimit të lehtë trupor.