Visar Ymeri: Arrestimi i Kurtit me Urdhra Politikë

Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Visar Ymeri, e quajti “politik” arrestimin e sotëm të tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj u arrestuan në bazë të një fletarresti të lëshuar nga gjykatësi Beqir Kalludra për shkak se nuk u paraqitën në një seancë gjyqësore të mërklurën për t’u përgjigjur në akuzat për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Duke folur për këto arrestime, Ymeri tha se kjo është “vazhdimësi e përndjekjes” së Vetëvendosjes.

“Tre deputetë u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia me urdhra politikë. Ata ishin duke ardhur në seancë për të marrë pjesë. Kjo është vazhdimësi e një përndjekjeje masive dhe gjithëpërfshirëse të Lëvizjes Vetëvendosje me dënimin e katër aktivistëve tanë pa kurrfarë prove e dëshmie e pastaj me vazhdimin e këtij gjyqi të padrejtë ndaj deputetëve tanë vetëm për shkak se ata e mbrojtën sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit”, tha ai mes kollitjeve të shkaktuara nga spreji i hedhur nga ndaj deputetëve që kundërshtonin arrestimin e kolegëve të tyre.

“Po duan ta përndjekin Lëvizjen Vetëvendosje për shkak se po duan që vullneti i tyre politik që është vullnet i krimit dhe korrupsionit të ngadhnjejë në Republikën e Kosovës. Natyrisht nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Ymeri.