Ilustrim | Foto: KALLXO.com

Veteranët e UÇK-së Duan Krijimin e Ushtrisë

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të UÇK-së me anë të një deklarate kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin hapat për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Publikisht ju bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur për formimin dhe ligjësimin e Ushtrisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e tyre.

Më tutje në deklaratë jepen arsyet pse Kosova duhet të ketë ushtri.

“Nuk ka shtet të pavarur pa ushtrinë e tij, andaj edhe Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Ushtria e Kosovës është kërkesë e popullit të Kosovës, e të gjithë atyre që Kosovën e konsiderojnë pjesë të atdheut të tyre, pjesë të kulturës dhe të gjuhës së tyre, andaj ajo duhet të formohet sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të krijohet faktori themelore i sigurisë së Kosovës”, vijon deklarata.

Shoqatat e dala nga lufta në deklaratë thonë se deri tash kanë qenë të durueshme në lidhje me vonesat për formimin e ushtrisë, por këto shoqata thonë se në të ardhmen nuk e marrin përgjegjësinë për padëgjueshmëri të mundshme qytetare, nëse stërzgjatet krijimi i ushtrisë.

Tri ditë më parë Presidenti Hashim Thaçi i dorëzoi kryeparlamentarit Kadri Veseli Projektligjin për FSK-në, të cilin një ditë më vonë Kryesia e Kuvendit ia dërgoi për mendim Qeverisë së Kosovës.

Thaçi deklaroi se e ndërmori këtë veprim, pasi Lista Serbe nuk ishte e gatshme që të mbështesë ndryshimet kushtetuese që FSK-në e kthejnë në ushtri.

http://kallxo.com/thaci-fqinjet-transformimin-e-fsk-se-ta-shohin-si-hap-demokratik/

Për këto ndryshime duhen votat e shumicës së deputetëve dhe shumicës së deputetëve të komuniteteve.

Veprimin e Thaçit në lidhje me Projektligjin për FSK-në nuk e përkrahën ambasada e SHBA-së dhe NATO-ja.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/

http://kallxo.com/shba-e-shqetesuar-me-projektligjin-e-ri-per-fsk-ne/

Pas këtyre reagimeve dhe takimeve me përfaqësuesit e QUINT-it, pardje Thaçi doli në një konferencë për gazetarë në të cilën përsëri tregoi vendosshmëri për dhënien e kompetencave ushtarake FSK-së pa ndryshime kushtetuese.

http://kallxo.com/thaci-shba-nuk-e-ve-ne-dyshim-procesin-e-transformimit-te-fsk-se/