Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi për Përgatitjen e Sulmeve ndaj Lojtarëve të Izraelit

Gjykimi ndaj nëntë personave të akuzuar për përgatitje të sulmeve ndaj futbollistëve dhe tifozëve të Izraelit edhe pse ishte paraparë të niste paradite, është shtyrë në orën 13:00.

Shtyrja ka ndodhur ngase të akuzuarit nuk janë sjellë nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë, për shkak të një defekti që ka pësuar gjatë rrugës automjeti i Njësitit për Transportin e të Paraburgosurve.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti,Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm (nuk mund të përgjohet)me dashje kanë pranuar thirrjene  Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të Shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Në seancën e zhvilluar në qershor vetëm Arton Ahmeti pranoi fajësinë, ndërsa të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm.