Foto: USAID/Facebook

Shillova me Fabrikë

Në Shillovë të Gjilanit është përuruar sot fabrika ku do të ruhen të paprishura pemët e imta.

Në këtë përurim ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi bëri thirrje që toka të punohet.

“Këtë vit falë edhe mbështetjes dhe angazhimit të organizatave të fuqishme ndërkombëtare, siç është USAID-i, ne kemi fokusuar mjete më shumë drejt bujqësisë dhe saktësisht pemëve të imëta. Po punojmë që prodhimi nga toka e Kosovës të jetë përherë e më i madh, jo vetëm për konsum të brendshëm, por edhe për eksport të produkteve tona,” tha Krasniqi.

Edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri tha se komuna ka rritur mbështetjen për bujqësinë.

“Komuna e Gjilanit për këto vite ka rritur investimet dhe subvencionet për bujqësinë, duke stimuluar punimin e tokës dhe rritjen e prodhimeve bujqësore,” tha Haziri.

Ministri dhe kryetari folën edhe për fabrikën e ngrirjes së pemëve.

“Kjo fabrikë është një mundësi shumë e madhe për fermerët e këtij regjioni, sepse është afër dhe në të njëjtën kohë është garantues i ruajtjes së prodhimeve,” tha Krasniqi.

Garancinë për prodhuesit dhe prodhimet e përmendi edhe kryetari Haziri.

“Kjo fabrikë tash e tutje është një garancion për prodhuesit, sepse grumbullimi tashmë është i sigurt. Tani e tutje kërkohet prodhim dhe urojmë që ky vit të jetë i bereqetshëm për tokën e Gjilanit dhe këtij regjioni,” tha Haziri.

Në përurim të fabrikës ishte edhe drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë James Hope. Edhe për të fabrika e Shillovës është një mundësi e mirë për pemëtarët.

“Është mundësi e mirë për fermerët, sepse nga këtu sigurohet punësimi, rritja e shitjes së prodhimeve, eksporti, nxitja e punimit të tokës dhe prodhimit të pemëve të imëta. Rritja e zhvillimit ekonomik agrar ka bazë në dy faktorë, atë të investimit të teknologji bujqësore dhe mbështetje të fermerëve të vegjël,” tha Hope.

Pronari i Fabrikës për Ngrirjen e Pemëve “Calabria” Xhelal Selimi kërkoi bashkëpunim me fermerët për shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve.

“Planifikimet e fabrikës janë që të krijojmë lidhje zyrtare me fermerët në mënyrë që ata të kenë të sigurt tregun dhe destinimin e produkteve të prodhuara. Kapacitetet për grumbullim janë të mëdha, por mbetet angazhimi i bujqve që të bëjnë prodhimin dhe zgjerimin e parcelave me pemë të imëta dhe vishnje. Gjatë sezonit edhe numri i punëtorëve do të jetë më i madh drejtpërdrejt në fabrikë dhe indirekt shumë më i madh përmes fermerëve,” tha Selimi.

Dhomat e ngrirjes kanë kapacitet për ruajtjen e 3000 tonëve metrikë të produkteve të ngrira në temperaturë deri në minus 25 gradë celsius. Kapacitetet e ngrirjes janë deri në 8.5 tonë metrikë në orë. Kjo fabrikë sipas pronarit të saj ka kapacitete të grumbullimit të të gjithë prodhimit të pemëve të imta për regjionin e Gjilanit.