Prezantimi i analizës "Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit", Foto: KALLXO.com

Serbët e Veriut të Painformuar për Marrëveshjet e Brukselit

“Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit” është analiza e realizuar nga Sanja Sovrliq dhe Snezhana Gjapiq për Marrëveshjen për energji dhe telekomunikim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit” tregon se qytetarët e veriut të Kosovës nuk kanë qenë të informuar për përmbajtjen e Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas kësaj analize, Marrëveshja e telekomunikacionit më shumë se cilado tjetër deri më tani, ka hasur në reagime të rëndësishme nga publiku në Kosovën e Veriut.

“Ndërsa marrëveshjet e deritanishme kanë prekur kategori të caktuara të popullsisë gjatë realizimit, kjo Marrëveshje ka prekur një numër më të madh njerëzish nga kategori të ndryshme sociale, domethënë të gjithë ata që kanë telefon fiks dhe/ose mobil”, theksohet në analizë.

Si rezultat i Marrëveshjes në Bruksel është krijuar “MTS Sh.P.K”, e cila është përgjegjëse për telekomunikacionin në zonat serbe të Kosovës, në veçanti në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Me themelimin e kësaj kompanie në Kosovë, operatorët celularë VIP dhe Toleron pushuan së funksionuari.

Si rezultat i Marrëveshjes është edhe prefiksi për Kosovën +383, i cili ka filluar të funksionojë që nga 2 shkurti 2018.

Sipas analizës, funksionimi i telefonisë mobile në veri të Kosovës ende nuk është rregulluar plotësisht.

“Ndonëse procesi i riregjistrimit të përdoruesve që përdorin shërbimet e telefonisë celulare postpaid ka përfunduar brenda kompanisë MTS shpk, ende nuk është rregulluar çështja e shfrytëzuesve prepaid. Qytetarët e Kosovës që përdorin këtë lloj shërbimi ende paguajnë për mbushjet e telefonave mobil me dinarë”, theksohet në analizën “Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit”.

Njëra nga realizueset e kësaj analize, Sanja Sovrliq  ka thënë se ndryshime në telekomunikim kanë ndodhur në veri të Kosovës.

“Para Marrëveshjes së telekomunikimit në veri vepronin 3 kompani të komunikimit, pas Marrëveshjes është krijuar një kompani e komunikimit, e cila është regjistruar në dhjetor të vitit 2016”, ka thënë Sovrliq.

Ajo më tej shpjegoi edhe problemet në të cilat kanë hasur qytetarët e veriut të Kosovës.

“Shfrytëzuesit të cilët nuk ishin çregjistruar nga kompanitë e vjetra dhe të regjistroheshin në kompaninë e re kishin pasur problem kur ishte shkyqur”, potencoi ajo.

Sanja Sovrliq shprehu edhe shqetësimin e qytetarëve se çfarë do të ndodhë pas dy viteve kur t’i skadojë leja e punës kompanisë telefonike në veri.

“Qytetarët e veriut janë të shqetësuar nëse pas dy viteve ata do të detyrohen të paguajnë më shtrenjtë, të paguajnë roaming. Duhet të bëhet një fushatë informative sepse marrëveshjet fillojnë të zbatohen brenda natës tani madje as punëtorët nuk janë të informuar për atë marrëveshje. Qytetarët duhet të shfrytëzojnë sa më shumë kanalet e ndryshme të komunikimit për t’u informuar për marrëveshjet, të bisedojnë me shoqërinë civile, me mediat”, ka përfunduar Sovrliq.

Negociatat e para mes Beogradit dhe Prishtinës mbi energjinë kanë filluar qysh në vitin 2011, kur në krye të ekipeve negociatore teknike ishin Borisav Stefanoviq dhe Edita Tahiri.

Sipas kësaj analize gjashtë vjet më vonë nuk ka përmirësim të dukshëm në këtë fushë.

“Ajo për çfarë negociatorët pajtohen është se pengesa kryesore në zbatimin e Marrëveshjes është mungesa e themelimit të dy kompanive: EPS Tregtia dhe Elektrosever të cilat duhet të jenë përgjegjëse për shpërndarjen dhe mbledhjen e pagesës së energjisë elektrike në veri të Kosovës”, theksohet në analizën “Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit”.

Snezhana Gjapiq, e cila ka punuar në realizimin e kësaj analize ka thënë se komunat e veriut janë përgjegjëse për rrymë dhe ajo çfarë është praktikë e caktuar atje është që nuk paguhet shumë energjia elektrike.

“Sipas të dhënave të organizatës tonë gati gjysma e qytetarëve nuk e paguajnë rrymën, gati gjysma nuk e kanë paguar për tre vjet, vetëm 10 për qind e kanë paguar me rregull”, ka thënë Gjapiq.

Ajo më tej ka shtuar se qytetarët janë informuar për marrëveshjet e Brukselit përmes kanaleve joformale të informimit.

Në shtator të vitit 2013 për herë të parë është biseduar konkretisht për fushën e energjisë përkatësisht për dy ndërmarrjet e energjisë elektrike, njëra që do të merrej me shpërndarjen e rrymës e tjetra për pagesat e rrymës elektrike.

“Tri herë këto ndërmarrje kanë aplikuar për regjistrim por Prishtina i ka refuzuar për përdorim të gjuhës provokative si Kosova e Metohija etj. Pas refuzimit në vitin 2017 pala serbe ka bërë ankesë në organet kompetente dhe ende pa rezultat”, ka potencuar Gjapiq.

Sipas analizës “Terr dhe Heshtje pas Marrëveshjes së Brukselit”, rekomandimet e qytetarëve janë që të zhvillohet një fushatë informuese për hapat që do të ndërmerren në fushën e energjisë.

Sipas tyre probleme të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetruar janë parakushtet që lidhen edhe me pagesën e rrymës nga ana e qytetarëve. Gjithashtu ata rekomandojnë që edhe të fshihen borxhet e tyre të mëhershme.