Promovimi i romanit

Rrëfimi për Kërkimin e Pushkës

Në Institutin Albanologjik u bë promovimi i romanit të parë të Mehdi Mulajt “Gjenerali dhe Ushtari pa Pushkë”.

Libri lidhet me luftën e viteve 1998-1999 dhe bazohet në ngjarje të vërteta të asaj kohe.

Në qendër të librit është kërkimi këmbëngulës i pushkës nga një fëmijë i asaj kohe.

Pushkën për t’iu bashkuar luftës, fëmija që në roman ka emrin Drin e kërkonte nga ish-komandanti i UÇK-së Agim Qelaj, i vrarë gjatë luftimeve në Rahovec në korrik të vitit 1998.

Mulaj gjatë fjalës së tij tha se po i duket që në sallë po e sheh edhe Agim Çelajn.

Mulaj më tutje tregoi se sa ka punuar në këtë roman.

“Në këtë roman kam punuar plot shtatë vjet. Asnjëherë nuk kam qenë i kënaqur me mënyrën se si e kam shkruar. Çdo fjalë që e shënoja, më dukej e vogël përball veprave të mëdha të Gjeneralit. Mezi e binda veten ta botoj në këtë version që është, se për ndryshe, gjithë jetën do të punoja në të”, tha Mulaj.

Në promovim morën pjesë edhe familjarë të Agim Qelajt dhe ish-luftëtarë që ndodheshin nën komandën e tij.