Shaban Buza, rektor i Universitetit "Fehmi Agani" - Foto: KALLXO.com

Rektori i Universitetit të Gjakovës Flet Rreth Aktakuzës Kundër Tij

Aktakuza thotë se një inspektim i Inspektoratit të Arsimit konstaton se në këtë Universitet janë pranuar mësimdhënës në mënyrë të kundërligjshme.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur me datën 8 maj të këtij viti nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, Inspektorati i Arsimit pas inspektimit të bërë ka konstatuar se në Universitetin e Gjakovës në mënyrë të kundërligjshme janë pranuar mësimdhënësit pa dokumentacion të noterizuar, pa dokumentacion të nostrifikuar të diplomave të lëshuara jashtë Kosovës, si dhe janë pranuar asistentë të cilët e kanë kaluar moshën e paraparë me ligj.

“Në periudhën kohore prej 9 tetorit 2015 e deri më 13 shtator 2016, në cilësinë e rektorit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe t’i shkaktojë dëm Universitetit, ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare”, thuhet në aktakuzë.

Akuza më tej sqaron se janë rekrutuar disa mësimdhënës dhe asistentë pas konkursit për vitin akademik 2015/2016.

“Po ashtu janë pranuar mësimdhënësit pas konkursit për vitin akademik 2015/2016 dhe nga këto janë 7 ligjërues të angazhuar dhe 20 janë asistentë të angazhuar pa konkurs, në këtë mënyrë ka bërë shkelje të ligjit duke dëmtuar të hyrat e Ministrisë së Arsimit”, thuhet më tej në aktakuzë.

Seanca gjyqësore rreth kësaj çështjeje penale është caktuar të mbahet të enjten (më 22 qershor).

I kontaktuar në telefon rektori Buza shkurt tha se është duke e shqyrtuar akuzën.

“Jam i njoftuar për akuzën që është ngritur ndaj meje, e kam marr edhe ftesën nga ana e Gjykatës dhe unë jam duke i shqyrtuar veprimet e mija me avokatin tim”, tha Buza duke mos dashur të komentojë më shumë.

Në muajin shkurt të këtij viti, rektori Shaban Buza kishte folur në emisionin “Jeta në Kosovë“ për problemet me të cilat po ballafaqohej Universiteti “Hasan Prishtina” i Prishtinës.

Deklaratën e tij të plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.