#Protestoj te pensionistët | Foto: KALLXO.com

#Protestoj: Qeveria na e Mohon Pleqërinë e Dinjitetshme

Sipas përfaqësueses së grupit të qytetarëve #Protestoj, Edona Bajrami, pas miratimit në lexim të parë të të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale po plaçkiten kursimet private në trust pensional.

“Iniciativa e fundit e Kuvendi të Kosovës, i cili ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës shënon kapërcimin më të madh që kjo qeveri ka bërë deri më tani që legjitimon plaç̧kitjen e pronës private të qytetarëve të Kosovës, e që janë kursimet tona private në Trust Pensional. Ata synojnë̈ të mbysin të vetmen mundësi tonën për një pleqëri të dinjitetshme,” tha Bajrami.

Në seancën e 22 shtatorit Kuvendi miratoi në lexim të parë plotësim-ndryshimet e Ligjit për Fondet Pensionale, ndërsa nëse ky ligj miratohet edhe gjatë leximit të dytë, Qeveria e Kosovës mund të tërheqë nga kursimet pensionale 9.5 milionë euro që janë grumbulluar prej vitesh si kontribute të paidentifikuara.

Edona Bajrami më tutje shtoi se qeveria po ua mohon të moshuarve të drejtën për pension.

“Kjo ndodhi menjëherë pas iniciativës së qeverisë për t’u mohuar të gjithë̈ qytetarëve mbi 65 vjeç të drejtën në pension bazë, synim ky prej të cilit ende nuk kanë heqë dorë. Politika e mohimit të pensionit, duke i lënë pleqtë̈ totalisht të pambrojtur dhe në varfë̈ri është edhe më e rëndë kur të gjithë e dimë që mosha e shtyrë mbetet kategoria më e neglizhuar e shoqërisë nga qeveria, e të cilët nuk gëzojnë as edhe një të drejtë dhe as qasje falas në shërbime shëndetësore,” shtoi Bajrami.

Në fund Bajrami iu drejtua qeverisë me disa pyetje ndërsa shtoi se protesta kundër korrupsionit është sot prej orës 17:00.

“Duke parë që qeveria jo vetëm që rrezikon jetërat e pensionistëve të tashëm por edhe të gjeneratave që vijnë, ne e pyesim atë: A nuk është kjo shkelje flagrante e kushtetutës? A nuk është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut t’i përvetësoni paratë tona të kursyera për pleqëri? A nuk është mohimi i të drejtës në pension bazë shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe obligim i juaj për të na siguruar jetë të dinjitetshme?,” tha në fund përfaqësuesja e grupit #Protestoj.

Grupi #Protestoj do të mbajë sot protestën e dhjetë në lidhje me telefonatat e përgjimeve të publikuara nga portali Insajderi.