Protesta për dorëheqje dhe zgjedhje të reja në Kosovë

Që nga fillimi, kërkesat kryesore të pjesëtarëve të grupit joformal ‘Protestoj’, ishin shkarkimi i Kryeprokurorit Lumezi, veting-u për sistemin gjyqësor dhe pastrimi i listave prej mijëra veteranëve mashtrues.

Është e dukshme që Lumezi është caktuar në pozitën e kryeprokurorit nga PRONTO-ja, që do të thotë është dorë e zgjatur e pushtetarëve të korruptuar e të shantazhuar në kryeprokurori. Po ashtu, ai edhe ka ndërhyrë në punën e prokurorit Elez Blakaj, duke i kërkuar atij llogari se pse e ka intervistuar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli (madje, vetëm si dëshmitar – paramendojeni se çka do të ndodhte nëse Blakaj do ta intervistonte Kadri Veselin si të akuzuar). Lumezi ka pretenduar se Kadri Veseli s’është dashur të intervistohet ngaqë ‘deputetët kanë imunitet’.

Pra, kryeprokurori Lumezi nuk e di se për këtë çështje Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale. Për më shumë, prokurori Blakaj pretendon se Lumezi ka provuar ta frikësojë atë se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë për rastin PRONTO, do ta dërgojë atë në Komisionin Disiplinor.

Tutje, kërkesa jonë e dytë është veting për sistemin gjyqësor në Kosovë, që nënkupton rishqyrtim të të gjitha vendimeve të deritanishme të prokurorëve e gjyqtarëve; dhe verifikim të pasurisë së tyre. Për ta arritur këtë qëllim si shoqëri, na duhet ndihma edhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Kërkesa e tretë, që lidhet shumë me dy kërkesat e para, është pastrimi i listave prej mijëra veteranëve të rrejshëm e mashtrues, që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës për miliona euro. Si të shpjegohet që ata që e pandehin vetën për çlirimtarë, ta vjedhin buxhetin e vendit të vet, vendit më të varfër në Europë? Jam shumë i sigurt se po të kishim ‘qeveri kuislinge’, do ta kishte trajtuar më me nikoqirllëk buxhetin e Kosovës.

Kur jemi te kërkesa për pastrim të listave prej veteranëve të rrejshëm, duhet urgjentisht të ngritët edhe aktakuza për anëtarët e komisionit që i kanë fyer këto lista, përfshirë Ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, dhe zëvendës-ministrin e FSK-së, Agim Çeku.

Protesta në kërkim të dorëheqjes së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Foto: Atdhe Mulla

Natyrisht, kërkesat tona nuk duhet të kufizohen këtu. Është e turpshme që edhe 20 vite pas ndërhyrjes së NATO-s, të udhëhiqemi nga persona të korruptuar e të shantazhuar, nga persona për të cilët bashkësia ndërkombëtare ka themeluar edhe Gjykatë Speciale.

Po ashtu, është e turpshme të udhëhiqemi nga një kryeministër që e ofendon prokurorin e shtetit, e mbi të gjitha që i ofendon gati 1 milion qytetarë të vendit të vet, që kanë qenë të deportuar me dhunë prej forcave serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ‘çlirimtarët’ tjerë, duhet ta dinë se në Kosovë ishte paraparë të mbeteshin 2500 policë e 1500 ushtarë serbë, mirëpo në maj të vitit 1999 bashkësia ndërkombëtare vendosi që të mos mbetej asnjë polic a ushtar serb në Kosovë, ngase refugjatët shqiptarë do të refuzonin të ktheheshin. Do të thotë, refugjatët (edhe ata që ishin në Bllacë e në Stakonvec) janë çlirimtarët e Kosovës.

Po ashtu, është ofenduese që të udhëhiqemi nga Presidenti Hashim Thaçi, që pa u konsultuar me institucionet e tjera, me partitë politike, e sidomos me qytetarët e Kosovës, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e diskuton tërësinë territoriale të vendit.

Protesta në kërkim të dorëheqjes së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Foto: Atdhe Mulla

Politikanët ‘çlirimtarë’ për këto 20 vjet kanë arritur që shumicës së qytetarëve me ua gërditë aq fort Kosovën, saqë shumë prej tyre me pasë mundësi ikin e nuk kthehen kurrë më. Mirëpo, ne duhet t’ua bëjmë të qartë politikanëve ‘çlirimtarë’ se nuk do t’i lejojmë të na e gërditin edhe më tutje vendin tonë.

Prandaj, duhet të kërkojmë jo vetëm shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi, e më pas vetting-un për sistemin gjyqësor dhe pastrimin e listave prej mijëra veteranëve mashtrues, por edhe dorëheqjen/shkarkimin e krerëve të institucioneve kryesore politike në Kosovë dhe zgjedhje të reja.

Këta persona nuk kanë pas, e tash nuk kanë edhe më hiç legjitimitet për të fol në emër të Kosovës. Po ashtu, bashkësia ndërkombëtare, me theks të veçantë vendet mike të Kosovës, që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, nuk duhet t’i mbështesin krerët e institucioneve kryesore politike të Kosovës për shkak të përfshirjes se tyre në krime të natyrave të ndryshme.

Autori është aktivist i grupit ‘Protestoj’. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk reflektojnë domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Opinionet e shprehura në këtë rubrikë janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht ato të KALLXO.com.