Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Dhëndri Nxiti Grabitjen e 60.000 Eurove në Shtëpinë e Miqve

Tre të akuzuar lidhur me grabitjen e 60.000 eurove, një kilogram ari, si dhe gjësendeve tjera me vlerë, kanë dalë para Gjykatës në Prishtinë.

Beqir Zeneli dhe Ridvan Islami po akuzohen se grabitën nga një shtëpi 60.000 euro, një kilogram ari, shumë gjësende të tjera me vlerë, e po ashtu edhe lidhën gruan dhe fëmijët e saj që gjendeshin në shtëpi.

Sipas Prokurorisë, Zeneli e Islami nuk ishin të vetëm në këtë grabitje.

Prokuroria pretendon se ata u shtynë nga dhëndri i shtëpisë, Fejzullah Sejdiu, i cili sipas tyre, e dinte se në atë shtëpi gjenden të holla dhe gjësende me vlerë.

Pas leximit të aktakuzës, të akuzuarit Ridvan Islami dhe Fejzullah Sejdiu u deklaruan të pafajshëm, derisa i akuzuari Beqir Zeneli nuk dëshiroi të deklarohet lidhur me fajësinë, e që sipas ligjit, mosdeklarimi rreth fajësisë merret si mospranim i fajësisë.

Ngjarja sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com ka ndodhur më 7 korrik 2017 rreth orës 2:30, kur të pandehurit Beqir Zeneli dhe Ridvan Islami, së bashku edhe me të akuzuarin Musa Zeneli dhe Edon Qibukqiu, të cilët gjenden në arrati, si anëtarë të grupit, të maskuar dhe me armë në dorë janë futur në shtëpinë e të dëmtuarës, Nerxhivane Rudari, që gjendet në një fshat të komunës së Podujevës.

Sipas Prokurorisë, e dëmtuara në atë moment ishte duke fjetur së bashku me tre fëmijët e saj dhe një vajzë të kunatit.

Këta janë zgjuar nga gjumi nga të dyshuarit, të cilët kanë bërtitur: Mos livritni!. Në atë moment i akuzuari Ridvan Islami, i cili ka pasur bluzë të bardhë në kokë, ia ka drejtuar armën te koka të dëmtuarës Nerxhivane, pastaj të gjithë së bashku ia kanë mbyllur gojën me trakë ngjitëse si dhe kanë lidhur të dëmtuarën dhe fëmijët.

Pas këtyre veprimeve, Prokuroria pretendon se i akuzuari Beqir Zeneli ka qëndruar në dhomë me të dëmtuarën dhe fëmijët e saj, ndërsa të akuzuarit e tjerë kanë demoluar tri katet e shtëpisë, ku kanë arritur që të gjejnë dhe të marrin 60.000 euro para të thata, rreth një kilogram ar, orë dore, xhaketë anti- plumb, armën e tipit “TT”, një kasafortë të vogël dhe gjësende tjera me vlerë.

Po ashtu, gjithnjë sipas aktakuzës, në fund kanë marrë çelësat e veturës së të dëmtuarës së tipit “Ford Focus” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë. Me këtë makinë janë larguar nga vendi i ngjarjes deri në fund të fshatit, ku të njëjtën e kanë braktisur, me ç‘ rast të dëmtuarve iu kanë shkaktuar frikë shumë të madhe dhe dëme të mëdha materiale. Me këtë, dy të akuzuarit në bashkëkryerje ngarkohen me veprën penale të grabitjes.

Përveç kësaj vepre, të njëjtit ngarkohen edhe me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë Fejzullah Sejdiu, me dashje ka shtyrë të akuzuarit Ridvan Islami, Beqir e Musa Zeneli, si dhe Edon Qibukqiu, që ta kryejnë veprën penale të grabitjes, ashtu që pasi që këta të akuzuar i ka njohur edhe më herët, i ka shtyrë dhe bindur që të shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarës Nerxhivane Rudari, të marrin të holla dhe gjësende me vlerë.

Sejdiu është dhëndër i familjes së dëmtuar dhe Prokuroria pretendon se ai ka qenë në dijeni se në këtë shtëpi ka të holla dhe gjësende të tjera me vlerë.

Sipas Prokurorisë, Sejdiu ka kryer veprim kriminal në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale të shtytjes për kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Në fund të seancës, avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga paraburgimi dhe arresti shtëpiak i të akuzuarve, duke kërkuar që t’u zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative, por që gjykatësja Shadije Gërguri i refuzoi këto propozime.