Foto: Ilustrim

Policia Konfiskon Thika e Narkotikë Në Shkollat e Podujevës

Policia e Kosovës ka konfiskuar armë të ftohta dhe narkotikë gjatë një oepracioni të kontrollit nëpër shkollat e Podujevës.

Sipas policisë së rajonit të Prishtinës, aksioni i kontrollit është realizuar në tri shkolla të kësaj komune ndërsa është shoqqëruar në polici një person i dyshuar për posedim të jashtëligjshëm të narkotikëve.

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar 8 thika, 1 boks metali, 1 shkrepsë në formë pistolete dhe dy qese të substancës narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Personi të cilit i është gjetur substanca e dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Podujevë për përfundimin e procedurave të nevojshme policore.

Policia thotë se përveç Podujevës, plani operativ për Sigurinë nëpër shkolla është duke u implementuar në të gjitha shkollat e rajonit të Prishtinës, që nga fillimi shtatorit 2017.

Sipas Policisë, me gjithë prezencën e disa dukurive negative – incidenteve në shkolla dhe përreth zonave shkollore, mbështetur në vlerësimet e fundit analitike që i janë bërë situatës së sigurisë në Rajonin e Prishtinës, respektivisht në zonat e lartcekura, rezulton se siguria është brenda kufijve të arsyeshëm.

“Mirëpo kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve, posaçërisht këshillet e prindërve si dhe institucioneve relevante që bashkërisht të ndihmojmë në krijimin e një ambienti më të favorshëm, të qetë dhe sigurt”, thuhet në komunikatën e Policisë.