PDK: Vetëvendosje Rrahu Gruan e Stavilecit

Në një konferencë të jashtazëkonshme për media, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës rreth sulmit të sotëm ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavilecit drejtuan gishtin kah Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Policisë së Kosovës, bashkëshortja e ministrit në detyrës është sulmuar rreth orës 14:00 në lagjen Veternik në Prishtinë.

Sipas PDK-së, autorë të këtij sulmi janë pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje megjithëse nuk dhanë emra konkretë.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismajli tha se sulmi ka ndodhur sot kur Vitore Stavileci ishte rrugës për t’u takuar me Blerand Stavilevin për shkak se sipas tij sot ata shënojnë përvjetorin e martesës.

Sipas Ismajlit, Vitores i është thënë që të përcjellë mesazh për heshtjen e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

“Sot në mesditë kriminelët e Vetëvendosjes e kanë rrahur dhe sulmuar bashkëshorten e Blerand Stavilecit, znj. Vitore Metaj Stavileci. Ajo po trajtohet në qendrën emergjente në Shkup. Pas sulmit fizik Vitores i është thënë që të përcjellë mesazhe të qarta Blerandit për të mos folur më sepse ai ka folur shumë”, tha Ismajli.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu dënoi këtë sulm duke bërë thirrje për kapjen e autorëve dhe ndaljen e Lëvizjes Vetëvendosje që ajo e quan parti me ideologji kriminale.

“Ky sulm tregon qartë për ideologjinë kriminale që synon ta terrorizojë këtë vend. Është një parti politike që thirret për demokraci dhe më së paku është demokratike. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt t’i kapin autorët. Është e papranueshme që në vazhdimësi të tolerohet një gjuhë e urrejtes, gjuhë kërcënuese. Është një thirrje jona që ta dënojë një herë e përgjithmonë këtë qasje para se të jetë vonë”, tha Deliu.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina sulmin ndaj Vitore Stavilecit e ka quajtur të turpshëm.

“Cilat do qofshin arsyet dhe motivet është e turpshme dhe e papranueshme të ngritet dorë mbi një grua! Organet e rendit mjaft më me togëfjalshin “hetimet vazhdojnë”, shkroi ajo në “Facebook”.