Lëvizja për Bashkim

PDK-së i Largohet një Partner Disavjeçar

Lëvizja për Bashkim, një partner disavjeçar i PDK-së, ka zgjedhur të mos jetë pjesë e qeverisë së re të Kosovës që pritet të formohet pas nënshkrimit të marrëveshjes PAN-AKR.

Partia e cila mandatin e kaluar ka qenë e përfaqësuar në qeveri me një ministri (atë të Diasporës), u shpreh e pakënaqur që marrëveshja e djeshme i jep “fuqi të madhe politike” Listës Serbe, meqë partitë shqiptare në këtë koalicion nuk mund ta arrijnë shumicën parlamentare të vetme.

“Lëvizja për Bashkim, që nga përfundimi i zgjedhjeve, me vëmendje e ka përcjellë situatën paszgjedhore dhe procesin e formimit të institucioneve të vendit.

“Fatkeqësisht, për shkak të konstelacionit të forcave politike të krijuar nga rezultati zgjedhor dhe, mbi të gjitha, të pozicionimit të mbrapshtë të tyre, Kosova do ta ketë një qeveri të varur nga Lista Serbe. Kështu, pakicës serbe, përveç privilegjeve të padrejta juridike e politike që iu siguruan nga Pakoja e Ahtisarit dhe nga bisedimet e Brukselit, si dhuratë nga partitë shqiptare do t’iu jepet fuqi edhe më e madhe politike”, tha Lëvizja për bashkim në një deklaratë sot, një ditë pasi PAN dhe AKR nënshkruan një marrëveshje e cila pritet t’ia sigurojë këtij koalicioni minimumin e nevojshëm të votave për formimin e qeverisë së re.

LB e cila në zgjedhjet e 11 qershorit garoi brenda listës së kandidatëve të PAN por nuk arriti të marrë asnjë deputet, thotë se ka pasur një marrëveshje që brenda këtij koalicioni në qeverinë e ardhshme ta ketë një ministër dhe dy zëvendës-ministra.

“Përderisa deri dje ata (Lista Serbe) e kishin fuqinë të kushtëzonin çdo vendim të Kuvendit për ndryshime kushtetuese, prej nesër ata do ta kenë fuqinë të kushtëzojnë çdo vendim të qeverisë për çështje krejtësisht të zakonshme. Kjo situatë, për ne, është krejtësisht e papranueshme. Andaj, Lëvizja për Bashkim ka vendosur që, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re”, tha LB..

“Lëvizja për Bashkim, gjithashtu, ka vendosur që ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë.

“Lëvizja për Bashkim, më e vendosur se kurrë, tashmë i ka hyrë punës që të përgatitet për zgjedhjet e reja të përgjithshme, në mënyrë që të garojë si subjekt i vetëm politik dhe si rrjedhojë të mos futet në koalicione me synim kalimin e pragut zgjedhor”, tha LB.