Pasi Refuzuan Gruevskin, Komunave të BDI-së u Shtohen Inspektimet

Kryetarët e komunave nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni thanë se po dyshojnë se rritja e kontrolleve të zyrave të komunave është hakmarrje për refuzimin e partisë së tyre për t'u bashkuar në koalicion të ri qeverisës me VMRO DPMNE-në e Nikola Gruevskit.

Rritja e inspeksioneve zyrtare në komunat e udhëhequra nga kryetarët e komunave nga BDI ka ngritur dyshime pasi partia të dielën nuk pranoi të mbështesë një aleancë qeverisëse të ripërtërirë me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

NDËRLIDHUR

Të hënën, Inspektorati i Punës ka hyrë në ndërtesën e komunës në Tetovë, ku kryetarja e bashkisë është nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, për të kontrolluar për shkeljet e mundshme të ligjit kundër pirjes së duhanit, por nuk vërejtën ndonjë parregullsi.

Inspektorati tha se kjo ishte një vizitë rutinë, por Arifi tha se ishte e habitur nga koha.

Në një njoftim për shtyp, ajo tha se në parim mbështet inspektime, por është çuditur pse komuna e saj është “kontrolluar” tani pas kaq shumë vitesh që është lënë vetëm.

Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Çair-it në Shkup që është e dominuar nga shqiptarët, i cili është një tjetër nënkryetar i BDI-së, tha gjithashtu se ai kishte marrë një njoftim se Inspektorati i Punës do ta vizitojë komunën e tij, edhe pse nuk e ka bërë ende këtë.

Kreu i Inspektoratit të Punës, Alajdin Avziu, mohoi se inspektimet ishin të motivuara politikisht.

“Ne kemi kryer kontrolle në Tetovë, Manastir, Veles, Prilep dhe në 15 institucione të tjera kombëtare. Kontrollet janë urdhëruar nga Këshilli i Inspektoratit”, tha Avziu.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, VMRO DPMNE ka fituar 51 deputetë në parlamentin prej 120 vendesh dhe kishte nevojë për një aleancë me BDI-në, e cila ka 10 deputetë, për të arritur shumicën prej 61 deputetëve për të formuar një qeveri.

Por BDI-ja, mbështetja popullore e të cilës ishte prerë në gjysmë në zgjedhjet e dhjetorit, më së shumti për shkak se ka qëndruar në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE për tetë vjet, nuk e ka ofruar mbështetjen e saj.

Mandati i Gruevskit për të formuar një qeveri skaduar për shkak të këtij refuzimi.

Tri javë më parë, inspektorët financiarë kanë hyrë edhe në ndërtesën e komunës në Gostivar, ku kryetari i komunës Nevzat Bejta, i cili është gjithashtu nënkryetar i BDI-së, ka qenë fuqishëm kritik ndaj Gruevskit.

Inspektorët thanë se ishin duke kontrolluar për ndonjë shkelje të mundshme të procedurave të prokurimit publik lidhur me një projekt të infrastrukturës.

Ata u shfaqën në derë të komunës menjëherë pasi kryetari i saj Bejta tha në një debat televiziv se nuk e di nëse “ndonjë shqiptar do të pajtohej për një aleancë me Gruevskin”.

Bejta është i bindur se inspektimi ishte i motivuar nga deklarata e tij publike.

Disa nga kundërshtarët më të ashpër të një koalicioni të përtërirë BDI-VMRO DPMNE kanë qenë kryetarët e komunave nga kjo parti, ndërsa Arifi, Bejta dhe Mexhiti ishin të zëshmit në mesin e tyre.

Të shtunën në mbrëmje, tre nënkryetarët e partisë u takuan me Zoran Zaev, liderin e Social Demokratëve, LSDM-së opozitare, për të paraqitur kushtet e BDI-së për t’u bashkuar në një koalicion të ri qeverisës nën drejtimin e tij.

Gjatë fundjavës, BDI kishte konsultime të gjata, por nuk arriti për të vendosur mbi një plan të veprimit.

Mbetet të shihet nëse BDI do të pranojë një qeveri të mundshme të kryesuar nga VMRO DPMNE, pa Gruevskin në krye, apo nëse do të zgjedhin për një nga katër opsionet e mbetura që kanë numëruar si mundësi – duke u bashkuar në një aleancë me LSDM-në opozitare, duke u bërë pjesë e një “koalicioni i madh” qeverisës me një shumëllojshmëri të gjerë të partive, duke mbetur në opozitë, ose duke bërë thirrje për zgjedhje të reja.

01 Shkurt 2017 - 14:27

Semra Musai, BIRN 01/02/2017 - 14:27
NDËRVEPRIMI0

Pasi Refuzuan Gruevskin, Komunave të BDI-së u Shtohen Inspektimet

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend