Foto-ilustrim

Paraburgim Ndaj Të Dyshuarve Për Vrasjen në Ferizaj

Një javë pas incidentit  që ndodhi në rrugën “Reçaku” në Ferizaj dhe ku si pasojë mbeti i vrarë personi me inicialet B.H, Gjykata Themelore në Ferizaj u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve lidhur  me këtë rast.

Dy të dyshuarve lidhur me këtë vrasje me inicialet A.R dhe A.R  nga Gjykata në Ferizaj u është caktuar masa e paraburgimit deri më 31 mars  ndërsa edhe pse Prokuroria kishte kërkuar paraburgim edhe për  dy të dyshuarve të tjerë  me inicialet F.R dhe A.R Gjykata atyre u ka  caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Ferizajt që KALLXO.com e ka siguruar  gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se rrethanat e rastit flasin se qëndron arsyeja për caktimin e paraburgimit duke u bazuar në peshën e veprës penale që dyshohen të pandehurit dhe dënimi i cili mund t’u shqiptohet  për këtë vepër nëse gjenden fajtor.

Po ashtu sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, ekzistojnë  rrethanat për caktimin e masës së paraburgimit ngase nëse të dyshuarit gjenden në liri mund të asgjësojnë, fshehin,, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar në dy dëshmitarë që nuk janë dëgjuar ende nga Prokuroria.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me arrestimin e të dyshuarit A.R lidhur me këtë vrasje.

Po ashtu KALLXO.com kishte raportuar motivin e dyshuar lidhur me këtë vrasje e që sipas kryeprokurorit të Ferizajt ishte borxhi lidhur me një veturë.