Pamje nga seanca ndaj ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Nisin Dëshmitë në Gjyqin Ndaj ish-Kryetarit të Obiliqit

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi dhe 13 të akuzuarve të tjerë, ka dëshmuar inxhinieri i kimisë, Arsim Krasniqi, i cili ka punuar si udhëheqësi i laboratorit në kompaninë “Bejta Commerce”.

Ish-kryetari dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorime me rastin e asfaltimit të rrugëve rurale në komunën e Obiliqit.

Dëshmitari i ftuar nga Prokuroria është pyetur se kush i bënte analizat e asfaltit.

Arsim Krasniqi tregoi se nxjerrjen e mostrave të asfaltit e bënte ekipi i asfaltit që ishte në kuadër të laboratorit të kompanisë, e i cili ia sillte atij.

Në pyetjen e prokurorit se a janë bërë analizat nga kompania juaj në projektin e asfaltimit të rrugëve rurale në komunën e Obiliqit, dëshmitari u përgjigj shkurt: “po janë bërë”.

Dëshmitari tha se matjet gjeo-mekanike i ka bërë ai në vendngjarje dhe se rezultatet i ka shënuar në raport ashtu si i ka treguar aparati, ndërsa laboratori nuk ka qenë i thirrur t’i komentojë rezultatet por vetëm t’i shënojë ashtu siç janë.

Pasi prokurori përfundoi me pyetjet, dëshmitarit iu drejtua e akuzuara Hasie Dushi, e cila i kujtoi atij se gjatë dëshmisë tha se nuk i komentonin analizat, ndërsa ajo ka një raport me komentet për rezultatet. Si e shpjegoni këtë?, pyeti e akuzuara.

Dëshmitari tha se komentet laboratori i bën vetëm për asfaltin që e prodhon fabrika.

Avokatët dhe të akuzuarit tjerë nuk i parashtruan pyetje dëshmitarit.

Arsim Krasniqi e dha dëshminë pasi prokurori special dhe mbrojtësit e të akuzuarve dhe të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse.

Prokurori tha qe qëndron pranë aktakuzës dhe premtoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqesë prova e fakte që do ta vërtetojnë aktakuzën.

Ndërsa, pala mbrojtëse tha se aktakuza nuk është e mbështetur në prova dhe fakte dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve.

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte i akuzuari.

Në seancën e parë vetëm Basri Kqiku pranoi fajësinë për mashtrim, ndërsa 13 të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm. Kqiku edhe kërkoi falje për gabimin e bërë, ndërsa gjyqtarja kërkoi që ai dhe mbrojtësi i tij të mos jenë të pranishëm në gjykatë deri në dhënien e fjalës përfundimtare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Përveç ish-kryetarit Krasniqi, edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi dhe Nazmi Gashi akuzohen se kanë kryer nga dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi nga prokuroria akuzohen se kanë kryer secili veç e veç veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe Basri Kqikun,ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

http://kallxo.com/ish-kryetari-i-obiliqit-mehmet-krasniqi-deklarohet-i-pafajshem/

 

http://kallxo.com/kundershtohet-aktakuza-ne-gjykimin-e-ish-kryetarit/

Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar.