Lagja që Kërkon Asfalt

Banorët e një lagjeje me rreth 50 shtëpi në fshatin Mushtisht të Suharekës kanë kthyer sytë nga komuna për të parë nëse një rrugë e saj është në plan për t’u asfaltuar ndonjëherë.

Rruga që kalon nëpër këtë lagje është e dëmtuar, me gropa dhe gjatë stinës së dimrit qarkullimi nëpër të është i vështirë.

Një nga banorët e kësaj lagjeje është edhe Alush Shala, asamblist i PDK-së në komunën e Suharekës.

Pushtetin në këtë komunë e kontrollon partia rivale, LDK, për të cilën Shala thotë se po vepron sipas dëshirave kur po shpërndan projektet e infrastrukturës.

“Këtë vit është dashur të përfundojë kjo rrugë por e gjitha varet nga dëshirat e pushtetit se ku po dëshirojnë me investu. Nuk po varet e gjitha prej neve”, thotë Shala për KALLXO.com.

Ai ankohet se kjo rrugë, është e dëmtuar që një kohë të gjatë dhe vështirëson qarkullimin e banorëve.

“Unë personalisht jam angazhuar që m’u shtru kjo rrugë për shkak të vështirësisë së komunikimit të banorëve”, thotë Shala.

Rruga e lidh edhe Mushtishtin me një fshat tjetër të Suharekës, Grekocin.

Disa qytetarë janë ankuar në KALLXO.com për problemin e kësaj rrugë por ata kanë hezituar të flasin para kamerës. Pas kamerave ata thonë se nuk duan të kenë probleme me pushtetin.

Nga ana tjetër, zyrtarë të komunës së Suharekës thanë për KALLXO.com se në këtë rrugë fillimisht është investuar në kanalizim. Asfaltimin thonë se e kanë lënë për vitin e ardhshëm.

“Nuk është që lagja Baqevcit është mbetur anash pasi së pari është punuar në kanalizim, më pastaj në rrugë. Kemi shkuar me rend, së pari është kryer kanalizimi e vitin e ardhshme do të shtrohet rruga”, tha zëdhënësi i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj.

Rregullimi i rrugës për lagjen Baqevc është përfshirë edhe në listën e projekteve për vitin 2017 të votuar nga asambleja e komunës së Suharekës.